Hamza mbledh deputetët e PDK-së: Kosova ka nevojë për institucione, jo për një pushtet që zvarrit procese

Prishtinë | 14 Kor 2026 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, zhvilloi sot një takim me deputetët e zgjedhur të PDK-së, ku u diskutua për situatën aktuale politike dhe domosdoshmërinë e krijimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

Në njoftim thuhet se në takim u vlerësua se procesi i konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve duhet të përmbyllet pa vonesa të mëtejshme. Vazhdimi i bllokadës institucionale nga ana e partisë në pushtet, pas një periudhe të gjatë pasigurie politike dhe zgjedhjesh të njëpasnjëshme, vetëm sa e thellon krizën, pengon zhvillimin ekonomik dhe dëmton interesin e qytetarëve dhe të shtetit.

“Deputetët e zgjedhur të PDK-së ritheksuan se Kosovës i duhen institucione të afta për t’u përballur me sfidat me të cilat përballet vendi, duke u fokusuar në prioritetet e qytetarëve: zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, forcimin e shtetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.

“Partia Demokratike e Kosovës i kërkon subjektit politik që ka dalë i pari në zgjedhje të marrë pa vonesë përgjegjësinë kushtetuese dhe politike që i takon për zhbllokimin e procesit të krijimit të institucioneve.
Kosova ka nevojë urgjente për stabilitet politik, institucione funksionale dhe vendimmarrje që u përgjigjet pritjeve të qytetarëve, jo për zvarritje të proceseve që dëmtojnë interesin publik dhe të ardhmen e vendit”, thotë njoftimi.

Të ngjashme