Hamza: Ne po flasim tash për zgjedhje, janë të pashmangshme

Prishtinë | 06 Mar 2026 | 14:14 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se është për keqardhje që vendi duhet të përballet edhe me një palë zgjedhje, por për këtë e lë fajtor Lëvizjen Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.

Hamza, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se PDK ka qenë konstruktive dhe e hapur dhe se VV ka pasur alternativa për të mos krijuar edhe një bllokadë.

“Ne ishim në takimin e ftuar nga presidentja e vendit, ku diskutuam edhe për mundësinë e datës së organizimit të zgjedhjeve të ardhshme. Shpreh keqardhjen që kemi ardhur deri në këtë moment. Nuk ka pasur asnjë arsye, ka pasur më shumë se një alternativë. Përgjegjësia kryesore normalisht i bie partisë fituese, më të madhe, sepse ka mundur me i dhënë vendit president.

Ne si PDK kemi qenë mjaftueshëm konstruktivë dhe të hapur dhe kemi bërë të gjitha përpjekjet e nevojshme që vendit me i dhënë president. Unë nuk i kam dhënë vija të kuqe askund në bashkëpunim me asnjë subjekt politik. Kam folur se ka mundësi edhe për marrëveshje politike para se me u kriju qeveria. Nuk e kemi prit askënd te dera për me na ftu.

Iu jam përgjigjur gjitha ftesave për takime, nuk kam shku në detale ku mbahet takimi, kur bëhet e si u bë ftesa. Qëllimi ka qenë që vendit me i dhënë institucione dhe mos të vazhdohet me këto bllokada. Megjithatë, kërkesa jonë ka qenë e qartë: fillimisht marrëveshja politike dhe pastaj ne t’i japim emrat, sigurisht emra të dinjitetshëm që i kanë gjithë atributet dhe karakteristikat e nevojshme që me qenë president apo presidente e vendit, që me përfaqësu vendin në mënyrë ma të mirë të mundshme”, tha ai.

Hamza, teksa fliste për alternativat e VV-së, tha se nuk dëshiron të interpretojë Kushtetutën.

“Nuk kemi pasë marrëveshje paraprake politike, është kërku emri. Fillimisht kanë thanë nuk do të ketë emra nga subjekti politik, kanë propozu një emër, pastaj kanë ndërruar emër, kanë dalë me dy emra dhe unë e vërej, dhe sigurisht shihet qartë tashmë, veç u konstatua që nuk ka pasë një vullnet të plotë politik nga partia fituese që vendit me i dhënë stabilitet institucional.

Nëse s’kish me i pëlqy marrëveshja me Partinë Demokratike, ka pas mundësi me Lidhjen Demokratike, ka pas mundësi me presidenten dhe, për më tepër, nuk e ka ftu fare as në biseda partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Tash, ne e shprehim qëndrimin tonë. Ne e dimë që janë dërgu disa shkresa. A do t’i trajtojë Gjykata Kushtetuese si të pranueshme apo të papranueshme, në Gjykatën Kushtetuese çdo vendim që merret gjithmonë ka qenë i respektuar dhe i zbatuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Unë besoj që presidentja e ka analizuar mirë veprimet e veta, ka vepruar në përputhje me detyrimet dhe përgjegjësitë e veta. Megjithatë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i pranueshëm për Partinë Demokratike të Kosovës. Ne mund ta komentojmë, por me interpretu Kushtetutën është veç Gjykata Kushtetuese.”

Por, se a do të jetë kandidat për kryeministër, ai tha se është ende herët të flitet për këtë.

Të ngjashme