Hamza: Një milion € në vitin 2018 për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Prishtinë | 01 Nën 2017 | 10:58 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Për herë të parë pas luftës së fundit në vend viktimat e dhunës seksuale do të gëzojnë kompensim financiar. Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka pritur në takim drejtoreshën ekzekutive të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës Feride Rushiti, si dhe përfaqësues tjerë të OJQ-ve për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media, ministri Hamza, tha se këtë vit është ndarë një shumë e caktuar dhe prej 2018-ës është vijë e rregullt buxhetore për këtë kategori.

Ministri Hamza tha se tashmë 1 milion euro janë në dispozicion për 2018-ën, por nuk tregoi shumën e ndarë për këtë vit.

“Aty është një shumë por në proces e sipër ne jemi të gatshëm që të jemi në mbështetje të vazhdueshme për këtë kategori. Ka kaluar kohë e gjatë por jam i lumtur që në kohën timë po adresohet kjo çështje e ndishme”, tha ai.

Ai gjithashtu bëri të ditur se është i përkushtuar në marrjen e veprimeve dhe vendimeve  tjera  për ti adresuar të gjitha kërkesat dhe sfidat me të cilat përballen viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe do ta trajtoj këtë kategori me prioritetin më të lartë.

Me këtë rast, Ministri Hamza i ka ofruar gjithë ndihmën dhe ka hapur mundësin e komunikimit të rregullt  me shoqatën e trajtimit të kësaj kategorie për ti adresuar kërkesat në kohë reale.

Ndërsa, drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës Feride Rushiti, tha se për herë të parë këto kategori të dala nga lufta, pra viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, po e marrin kompensimin i cili parashihet me Ligjin për vlerat e luftës.

“Natyrisht, që ky kompensim nuk do të thotë anashkalim i të gjitha atyre vuajtjeve që kjo kategori kanë pasur, po mbi të gjitha përmes këtij kompensimi shteti po tregon që ka përkujdesje, po ja njeh vuajtjen e tyre, që mbi të gjitha ka qenë edhe kërkesë e tyre gjatë këtyre viteve”.

Ajo gjithashtu theksoi se kanë biseduar rreth mënyrës së procedimit dhe funksionalizimit të Komisionit qeveritar për dokumentimin dhe verifikimin e viktimave të dhunës seksuale.

“…ndihemi mirë që patëm një bashkëpunim të sinqertë, një derë të hapur, ku u diskutua edhe mundësia  që në çdo moment, kur në qoftë se numri i këtyre personave që do të atakojnë këtë Komision do të rritet, Ministri do të jetë fleksibil, i gatshëm për ti ndihmuar dhe për ta reviduar Buxhetin dhe për ta shtuar buxhetin në qoftë se nevojat janë më të mëdha”.

“Mos të harrojnë, që 18 vite pas luftës kjo kategori nuk ka reshtur së luftuari për tu njohur e drejta e tyre, dhe po them që është qeverisja e parë që ka marrë hapin e guximshëm për tu ballafaquar me të kaluarën për të ofruar një drejtësi sociale për të gjithë viktimat e dhunës seksuale që kanë pësuar gjatë luftës në Kosovë”, shtoi Rushiti.

 

Të ngjashme