Nuk ka arritur të futet në rend dite, kërkesa e komisionit për Buxhet në Financa, me të cilin ishte paraparë, aprovimi për ndarjen e mjeteve buxhetore për muajin shkurt, raporton Ekonomia Online.
Kjo pasi që deputetët e opozitës votuan kundër që kjo pikë të jetë në rendin e ditës.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, kërkoi nga deputetët të votojnë këtë ndarje buxhetore, sipas tij, edhe nëse votohet buxheti për vitin 2019, është e pamundur për shkak të proceduarave të shfrytëzohen buxheti në shkurt.
“Nëse buxheti kalon këtë javë apo ditët në vijim një pjesë e muajit shkurt mbetet e pambuluar dhe asnjë pagesë nuk mund të kryhet përveç pagesës së borxhit. Sipas ligjit të tregova unë (Albulenës). Po iu lus që të njëjtën ta futni në rend dite dhe ta votoni që ligji të ketë mundësi ti kryejë pagesat”, tha Hamza.
Hamza shtoi se edhe nëse shkohet në zgjedhje nuk ka buxhet për t’i organizuar ato.
“Ka ndodhë një situatë e ngjashme edhe në vitin 2011. Vendi ka fillu vitin pa e pas buxhetin e miratuar. Ligji e thotë që muajin e parë mundesh me e shfrytëzua buxhetin, muajin e dytë duhet me e votu buxhetin. A shkojmë prej shtëpie a s’shkojmë nuk bëhet nami. Në rast se vjen situate me shku në zgjedhje pa buxhet të aprovum, po e them se as për organizimin e zgjedhjeve nuk ka buxhet”, shtoi Hamza.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se lutja është e paarsyeshme.
“Ministër është dashtë t’iu tregoni qytetarëve pse keni vendosë një standard të keq që nuk e keni votu. Lutja juaj nuk është e arsyeshme, arsyeshmëria është të na tregoni pse Kosova nuk e ka buxhetin e miratuar në fund të vitit 2018”
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, kërkoi nga ekzekutivi që të japin dorëheqje.
“Fakti që deputetët nuk e miratuan kërkesën e komisionit për buxhet e financa ky …ju duhet të jepni dorëheqje sepse nuk e keni legjitimitetin. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ne nuk do ta përkrahim as buxhetin e asfaltit e as këtë propozim”, tha Haxhiu.
Deputeti i Nisma-s, Bilall Sherifi, tha se kërkohet buxhet për nevoja shëndetësore dhe paga.
“Bëhet fjalë për pagat dhe njerëzit që kanë nevoja të ndryshme shëndetësore. Nuk po e bllokoni qeverinë, po I bllokoni njerëzit që kanë nevojë ti merrni këto pak mjete”, tha Sherifi.
Edhe për deputeten e PDK-së, Safete Hadergjonaj, buxheti edhe nëse miratohet kërkon kohë të hyn në fuqi.
“Nëse ne buxhetin e miratojmë nesër, kërkon kohë për të hyrë në fuqi. Komisioni për buxhet dhe financa unanimisht e ka përkrahë një propozim të tillë nisur nga fakti se më 1 shkurt nuk ka asnjë mundësi që pagat të kryhet”, tha Hadergjonaj.
Zemaj tutje kërkojë që të votojë mazharanca, sipas tij, s’ka pse të akuzohet opozita për buxhetin.
“Ju jeni mazhorancë, votoni. Nuk e di pse akuzohet opozita pse buxheti nuk ka kalu siç është me ligj, tash po na akuzoni neve, ju nuk I keni kry detyrat e juaja ashtu siç I keni. I keni votat, e keni mazhorancën, votoni, ne e mbajmë pozicionin tonë”, tha Zemaj.
Shefi i GP-të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se mosvotimi i buxhetit është synim i opozitës për ta vënë në kolaps Kosovën.
“Mosvotimi nga ana e opozitës, është tentim I drejtpërdrejt, I hapur, pa asnjë fije turpi për me vendosë Kosovën në kolaps. Nëse opozita donë me vendosë Kosovën në kolaps atëherë kjo është e drejtë e tyre”, tha Krasniqi.
Në anën tjetër, shefi i GP të LVV-vë, Gklauk Konjufca, tha se kjo Qeveri duhet të shkojë.
“Kjo qeveri duhet të shkoj në shtëpi. Kërkund në botë nuk ka kësi qeverie. Nëse kjo qeveri nuk ka me pagu populli, le të vjen një qeveri që mundet me pagu popullin. Ministër nuk po të ecë kuleta, ecë në shtëpi”, tha Konjufca, raporton Ekonomia Online.