Hamza: Veteranëve do t’ua mundësojmë që të punojnë në mënyrë të rregullt në sektorin privat

Prishtinë | 14 Jan 2025 | 22:07 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka folur për veteranët e luftës dhe trajtimin e tyre.

Ai ka thënë se do të punojnë që veteranëve t’iu mundësohet që të punojnë edhe në sektorin privat.

“Tek veteranët është edhe një çështje tjetër është një pengesë në ligj që unë jam i bindur që është e padrejtë po kjo duhet të rregullohet që të iu njihet e drejta për me punu në sektorin privat. Një veteran që e ka gjendjen e mirë shëndetësore e merr një kontribut për angazhimin e tij në luftë, punon në sektorin privat i rritë të ardhurat për vetin dhe familjen e vet, paguan edhe tatim në të ardhurat dhe normalisht e përmirëson gjendjen ekonomike”, tha Hamza në RTV Dukagjini.

Hamza tutje tha se prioriteti i tij kryesor është zhvillimi ekonomik, të cilin synon ta arrijë përmes lehtësirave për bizneset.

“Për dallim nga të tjerët, unë nuk flas me përbuzje për bizneset”, u shpreh Hamza.

Ai theksoi rëndësinë e respektit ndaj tyre.

“Bizneset janë taksapagues, punësojnë njerëz. Kudo në botë për taksapaguesit flitet me respekt”, shtoi Hamza.

Hamza premtoi se nën udhëheqjen e tij, klima e të bërit biznes në Kosovë do të përmirësohet ndjeshëm.

Të ngjashme