Hani i Elezit përfiton nga MAPL një projekt infrastrukturor prej 30 mijë eurosh

Hani i Elezit | 26 Maj 2022 | 22:03 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka nënshkruar sot me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, marrëveshje mirëkuptimi në kuadër të programit për mbështetje për projektet infrastrukturore për komunitete.

Ballazhi, në një postim në faqen e tij në Facebook, ka bërë të ditur se në thirrjen e hapur nga Ministria e Pushtetit Lokal për aplikime në “Programin për mbështetje për projektet infrastrukturore për komunitete për komunat e Republikës së Kosovës”, Hani i Elezit ka aplikuar me projektin “Shtrimi me kubëza betoni të rrugicave dhe trotuareve në Han të Elezit dhe fshatrat: Paldenicë, Seçishtë, Pustenik, Gorancë, Dermjak, Rezhancë, Krivenik”, në vlerë prej 30 mijë euro.

“Në bazë të raportit të komisionit për vlerësim të aplikacioneve, Komuna e Hanit të Elezit me projektin në fjalë është përfituese e këtij programi për financim”.

“Sot, në Ministrinë e Pushtetit Lokal zhvilluam ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, ku na mirëpriti ministri Elbert Krasniqi. Punë të mira na presin!”, ka shkruar Ballazhi.

MAPL do të mbështesë 28 projekte në 20 komuna në vlerë prej 1 milion euro.Komunat përfituese janë Prizreni, Lipjani, Rahoveci, Shtime, Gjilani, Mamusha, Istogu, Kamenica, Hani i Elezit, Mitrovica e Jugut, Gjakova, Obiliqi, Suhareka, Ferizaj, Klina, Skenderaj, Novobërda, Peja, Deçani dhe Kllokoti

Të ngjashme