Hapen për qarkullim dy rrugët afër Komunës në Arbëri – Veturat nuk përfillin urdhërin për mosparkim

Prishtinë | 21 Jan 2024 | 16:50 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Prishtinës ka njoftuar të dielën se janë hapur për qarkullim dy rrugët në lagjen “Arbëria”, pranë objektit të Komunës së re.

Në njoftimin e Komunës theksohet se ndalohet rreptësisht parkimi i veturave në parkingun e objektit të komunës dhe rreth saj.

Por sikur shihet në fotografitë e Ekonomia Online, të bëra sot pasdite, në rrugën “Nora e Hotit” në të gjithë shiritin ka të parkuara automjete.

Gjithashtu në njoftimin e Komunës thuhet se është duke u intervenuar në kulmin e objektit, por të dielën nuk ka pasur asnjë punëtor duke punuar.

“Rrugët ‘Radovan Zagoviq’ dhe ‘Nora e Hotit’ në lagjen ‘Arbëria’ janë hapur për qarkullim, por ndalohet rreptësisht parkimi i veturave në parkingun e objektit të Kryeqytetit dhe rreth saj. Aktualisht është duke u intervenuar në kulmin e këtij objekti”, thuhet në njoftim.

Rrugët ishin mbyllur që nga e enjtja, pasi era rrëzoi një pjesë të kulmit të ndërtesës së Komunës, duke lënë të lënduar rëndë një 23-vjeçare. Me këtë rast ishin dëmtuar dhe disa vetura të parkuara.

Të ngjashme