Një çerdhe e re i është shtuar kryeqytetit. Bëhet fjalë për kopshtin “Milingonat” i cili është inauguruar në Kodrën e Trimave, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se investimi më i madh që mund të bëhet në shoqëri është arsimimi i hershëm i fëmijëve.
“Jam i lumtur të them se është ndër çerdhet më të mëdha me kapacitet mbi 200 fëmijë. Është e punuar me standarde të reja që nevojiten për çdo fëmijë. Do punojmë që edhe kurrikula dhe ushqimi të jenë në nivelin më të lartë sepse e kemi potencuar që investimi më i madh që mund të bëhet në shoqëri është arsimimi i hershëm apo arsimimi i fëmijëve”, tha Ahmeti.
Kreu i Prishtinës tha se do vazhdojnë me hapje të çerdheve të tjera, ndërsa bëri të ditur se “Milingonat” është ndër më të mëdhatë.
“Në qoftë se investojmë në fëmijë që në moshën e hershme atëherë jemi të garantuar që shoqëria jonë ka me i pas punët më mirë kur këta fëmijë arrijnë moshë madhore. Do vazhdojmë me hapjen e çerdheve të tjera në Komunën e Prishtinës. Do vazhdojmë kështu deri sa nuk kemi më fëmijë që presin në listë të pritjes. Po mundohemi që kostoja të jetë e konsiderueshme për prindërit”, shtoi Ahmeti, raporton EO.
Ndërsa, drejtoresha e kopshtit, Albulena Kryeziu, u shpreh mirënjohëse për ndërtimin e kësaj çerdheje. Ajo garantoi angazhim maksimal për fëmijët.
“Ne garantojmë angazhim maksimal bashkë me komunitetin dhe edukatoret”, tha ajo.