Në kuadër të Javës së Shkopit të Bardhë sot në Muzeun e Kosovës hapet ekspozita “Pa Dritë”, me riprodhime te 27 artefakteve te Muzeut Arkeologjik të Durrësit për persona me nevoja të veçanta shqisore që të njohin trashëgiminë arkeologjike shqiptare.
“Pa dritë”, që përfshin 27 riprodhime të objekteve të koleksionit të Muzeut Arkeologjik të Durrësit, u jep mundësinë personave të verbër t’i perceptojnë ato nëpërmjet të prekurit. Ajo do të zhvillohet në një mjedis të errët, hapësirë ku të gjithë vizitorët të ndihen njësoj, duke mos patur mundësinë e shikimit por të perceptimit të saj.
Ideatorja dhe kuratorja e ekspozitës, Edlira Çaushi, shprehet se “qysh në fillim, ideja e ekspozitës ka qenë për t’u dhënë një mundësi personave me nevoja të veçanta shqisore të njiheshin me një pjesë të trashëgimisë arkeologjike”.
“Por duke marrë shkas nga përvojat muzeale me ekspozitat lëvizëse, menduam që spostimi i saj në muze të tjerë do të ishte një mundësi e mirë për të vënë në pah nevojën për krijimin e sa me shumë mjediseve të kësaj natyre nëpër muzetë tanë”, shpjegon ajo.
Dëshirës për t’i ekspozuar këto artefakte edhe në muze të tjerë, iu përgjigj me entuziasëm organizata CHwB Albania, e cila po organizon Kampin e 32-të Rajonal të Restaurimit në Prishtinë me temë “Konservimi dhe interpretimi i objekteve muzeale”.
Pjesëmarrës të këtij Kampi, të trajnuar rishtazi mbi lëvizjen dhe trajtimin e objekteve muzeale, do të ndihmojnë me instalimin e ekspozitës.
Jonathan Eaton, koordinator i projekteve në CHwB Albania, shprehet i kënaqur për angazhimin e profesionistëve të rinj në aktivitete të tilla.
“Është shumë e rëndësishme për ta që të mësojnë mbi teknikat e ruajtjes dhe trajtimit të objekteve muzeale. Ndihma e tyre në instalimin e ekspozitës “Pa dritë” vjen pas trajnimit të suksesshëm në kampin tonë të restaurimit”.
Më tej ai shprehet se “aksesi në muze është problem madhor në Shqipëri dhe mbarë botën”. “Puna me të verbërit dhe njërëzit me nevoja të veçanta në ekspozita të përbashkëta (që nga dizenjo deri në instalimin përfundimtar) është e rëndësishme.
Por kjo nismë është vetëm një hap drejt ekspozitave me qasje universale në muzetë e Rajonit. Ekspozita që do t’u mundësonin të gjithëve, pavarësisht moshës, formimit apo aftësive, të gëzonin muzetë e tyre pa barriera”, përfundon Eaton.
Organizatorët janë kujdesur që çdo objekt që do ekspozohet në Muzeun e Kosovës të jetë i pajisur me një tekst shpjegues në shkrimin braille (mësimi braj për të verbërit ose për ata me dëmtime shikimi), që u jep personave të verbër informacion mbi objektin, materialin e përdorur si dhe funksionin e tij.
Pjesa më e madhe e veprave të “Pa dritë” janë realizuar nga studentë të Universitetit të Arteve si dhe nga studentët e degës së Trashëgimisë kulturore të Universitetit të Tiranës.
Çelja e kësaj ekspozite u bë e mundur me kontributin e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, DIGITALB, Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, Muzeut Arkeologjik të Durrësit, CHwB Albania dhe Muzeut të Kosovës.