Hapet Festivali Folklorik në Klinë, Haradinaj: Për t’i kënduar lirisë sot, dikur dikush ka dhënë jetën

Klinë | 06 Qer 2018 | 12:26 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Kullën e Mujë Krasniqit në Çabiq të Komunës së Klinës është hapur edicioni i 18-të i festivalit folklorik “I këndojmë lirisë”, i cili ka qenë nën patronazhin e Komunës së Klinës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Qeveria e Kosovës do të punojë për të arritur rezultatet për të cilat kanë luftuar dhe dhënë jetën dëshmorët e kombit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Ndoshta shumë prej neve na duket e tepërt ose e pa nevojë, mirëpo e vërteta është se heroi që na ka bashkuar sot Mujë Krasniqi i ka kënduar lirisë edhe në kohë të robërisë”.

“Kjo shtëpi e Halil Krasniqit, familja e Mujës, e Alisë, e Ajetit, e gjithë të tjerëve e dinë që pa e besu lirinë, pa e kuptu ndjenjën që një ditë je i lirë dhe nuk arrihet liria dhe ky truall, shtëpi dhe Halil Krasniqi, familja e Mujës, Alisë, Ajetit e gjithë të tjerët e dinë që pa e besu lirinë, pa jetu me ndjenjën që një ditë je i lirë dhe nuk arrihet liria njëkohësisht me i këndu lirisë kur je në robëri kur e ke të rrezikuar jo vetëm jetën, por të gjitha vlerat njerëzore. Ata që kanë jetu në atë kohë të robërisë e dinë dhe më vjen mirë që ka këtu plot fëmijë që nuk e dinë këtë”.

“Ne sot dhe gjithë jetën nëse vazhdojmë më i këndu lirisë dhe nëse vazhdojmë të sjellim vlera të muzikës tonë ndërkombëtare nga të gjitha trevat dhe një shpirt gazmues se kush do të shihet në pjesën më të mirë të muzikës në këtë vend ne po e bëjmë atë që dikur është dashur me dhënë jetën dhe imagjinojeni se sa sakrificë e vogël është sot dhe sa pak ne po japim nga vetja jonë. Për me i këndu lirisë sot, dikur dikush ka dhënë jetën dhe i inkurajoj talentët e muzikës dhe të artit”, tha Haradinaj.

“Si qeveri nuk kemi me u ndalë për ta qitë në dritë rrugën për liri dhe të vërtetën për ata që e kanë dhënë jetën për Mujën e Halilin dhe gjithë ata tjerët”, tha Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj falënderoi të gjithë të pranishmit që kanë ardhur në festivalin “I këndojmë lirisë”, si shenjë kujtimi për të gjithë dëshmorët e vendit që ranë për liri.

“Mbajtja e këtij festivali po merr edhe një vlerë tjetër të veçantë, sepse po mbahet në vitin jubilar të pavarësisë së vendit tonë, e cila u sublimua falë gjakut të Mujë Krasniqit dhe dëshmorëve të tjerë të kombit”, tha Elezaj.

Ali Gashi, bashkëluftëtar i Mujë Krasniqit, e bëri hapjen zyrtare të festivalit “I këndojmë lirisë”. Ai tha se sot kombi i Kosovës feston ditëlindjen e birit të vet, raporton EO.

Halil Krasniqi, babai i Mujë Krasniqit, falënderoi të gjithë që ishin të pranishëm për të kujtuar të birin e tij.

“Falënderoj të gjithë, qofshi e rrnofshi me gjitha të mirat që keni ardhur këtu dhe na keni njoftë e na jepni fuqi e gajret e gjitha të mirat dhe respekte për të gjithë”, tha Krasniqi.

 

Të ngjashme