Është hapur edicioni i katërt i “Festivalit të Gjelbër”, i cili implementohet nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Festivali i Gjelbër” ka për qëllim kryesor rritjen e tregjeve dhe promovimin e bizneseve në fushën e energjisë solare, atë efiçiente dhe të riciklimit. Festivali do të ofrojë platformë rrjetëzimi për bizneset e gjelbra, agjencitë qeveritare dhe të gjithë akterët relevantë të energjisë së gjelbër.
Në këtë ngjarje dy ditore rreth 45 kompani vendore ekspozojnë produktet dhe shërbimet e tyre në Pavijonin e Gjelbër .
Këtë vit risi do të jetë prezantimi i kompanive ndërtuese me projekte dhe ide inovative të lagjeve moderne që promovojnë jetesën efiçiente “Green”.
Drejtori Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, tha se ekonomia e Kosovës nuk duhet të fokusohet në donacione, por në investime.
“Për neve ka qenë nderë që USAID-i ka besuar në organizatën tonë që te na përcjell në vazhdimësinë tonë, besoj që kemi bërë një punë të mirë duke pasur parasysh që participimi ka arritur në 50 për qind. Ekonomia e Kosovës s’duhet të fokusohet në donacione, por në investime. Sa më e vogël shuma e donacioneve dhe sa me i lartë investimi i kompanive private do kemi një ekonomi në rajon. Klubi beson dhe janë optimist në ekonominë e Kosovës dhe të gjithë anëtarët tanë kanë pasur mundësi të investojnë në Evropë, por kanë zgjedhur në Kosovë sepse ne krijojmë vende të punës dhe produkte të reja, por mbrojta e ambientit është qëllimi kryesor”, tha Panxha, raporton EO.
Ndonëse në këtë ngjarje ishte paralajmëruar se do të marrë pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ai nuk ishte i pranishëm.
Ambasadorë nga ShBA-ja, Sudia e Holanda në Kosovë u shprehen të lumtur për pjesëmarrjen e tyre duke uruar që Festivali i Gjelbër të jete një festival i suksesshëm.
Nicholas Jacobbi, i ngarkuar me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, tha se do të vazhdojnë përkrahjen dhe partneritetin me Kosovën.
“Ambasada e re amerikane, është një dëshmi e partneritetit të madh ndërmjet njerëzve në Kosovë dhe atyre në Amerikë, jam krenar ta them këtë që ky është një manifestim i pastër i angazhimit tonë për një Kosovë të Gjelbër. Në vizionin e Kosovës për projekte e ndërtime tashmë është kuptuar që biznesi i gjelbër është një biznes i mirë”.
Ambasadorja suedeze në Kosovës, Carin Hernmarck Ahilny, tha se Kosova do ta ketë përkrahjen e Suedisë për një ambient të pastër dhe të shëndetshëm.
“Ne jemi këtu për të ju mbështetur dhe e dimë që keni bërë një ndryshim të madh duke ndërmarrë iniciativa të ndryshme për ta ruajtur ambientin dhe kjo ju bën më të fortë ku patjetër do e keni përkrahjen e të gjitha shteteve. Ju keni bërë një punë të mirë andaj kjo i siguron edhe gjeneratat e ardhshme të jetojnë shëndetshëm dhe ata duhet ta pasojnë këtë”.
Ambasadorja e Holandës në Kosovës, Gerrie Willems, konfirmoi angazhimin e shtetit të saj për të rreth avancimit në energji.
“Jam krenare të shoh që ju keni bërë hapa para në përmirësimin e mjedisit por edhe keni avancuar në mjetet të cilat ndihmojnë për mbrojtjen e mjedisit dhe kjo mendoj që ka shumë rëndësi. Këtë ju po e bëni në një mënyrë të mirë, unë e konfirmoj angazhimin tonë si shtet për të ndihmuar rreth avancimit në energji për shtetin tuaj dhe gjitha atyre gjërave që çojnë tek një jetesë më e mirë”.
“Festivali i Gjelbër” promovon bizneset e gjelbra të Kosovës dhe nxitë interesimin për riciklim, energji të ripërtërishme dhe efiçencë energjetike.
Sektori i gjelbër në rritje e sipër në Kosovë ofron mundësi të konsiderueshme për rritje ekonomike dhe krijim të vendeve të punës.
Në “Festivalin e Gjelbër” të vitit të kaluar, 23 ndërmarrje pjesëmarrëse realizuan mbi 1.3 milion euro shitje. Këtë vit, me pjesëmarrjen e 45 ndërmarrjeve kosovare të bazuara në energji të gjelbër që do të prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre në festival, priten edhe më shumë kontrata dhe marrëveshje eksporti.