Edhe një minibibliotekë iu shtua sot qytetit të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Në sheshin “Ibrahim Rugova”, Organizata “Etea” hapi minibibliotekën e cila do t’i shërbejë qytetarëve për shkëmbim të librave.
Drejtori i kësaj organizatë, Agon Ahmeti, tha për Ekonomia Online se kjo ka filluar të bëhet përditshmëri e qytetarëve dhe në vitin 2020 do të punohet edhe për zgjerimin e këtij projekti.
“Sot jemi te sheshi “Ibrahim Rugova” te minibiblioteka e fundit për këtë fazë të fundit “Minibibliotekat e Lagjes” dhe sot e përmbyllim hapjen e 12 minibibliotekave që janë hapë nëpër lokacione të ndryshme të komunës së Prishtinës. Fatmirësisht kanë ecë mirë vetëm në disa prej tyre kanë pasur problem po që janë marrë masa qoftë ke njoftimin e policisë apo qoftë me zhvendosjen e tyre në lokacione me të sigurta ku ka ndriçim dhe kamerat për rreth ekzistojnë”.
“Tash ka filluar të bëhet përditshmëri e qytetarëve të Prishtinës po besoj që kanë me pasë edhe funksionin edhe për çka janë ndërtuar. Po ashtu sot kemi edhe projektin përmbyllës në ora 18:00 ku do të bisedohet për planet në të ardhmen dhe të bashkëpunojmë me disa kompani për mirëmbajtje. Deri tash gjithçka po shkon mirë dhe 2020 do të jetë e fokusuar në këtë aspekt dhe zgjerimin e projektit në komunat e tjera”.
Iliriana Hasaj nga libraria Dukagjini tha se në plan për vitin 2020 është edhe zgjerimi i projektit në Pejë , Gjilan , Mitrovicë, Gjakovë dhe Ferizaj.
“Ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyer dhe jemi shumë të gëzuar që u realizua te gjitha edhe pse në disa prej tyre ka pas probleme. Po ashtu sot do ta kemi një event në librarinë dukagjini dhe do të shpalosim plan projektin për vitin 2020 ku këto minibiblioteka do të zgjerohen edhe në qytetet e tjera si Peja,Gjilani,Mitrovica, Ferizaj,Gjakova”, tha ajo.
“Ideja është merr një libër dhe sill një tjetër por edhe në qoftë se këto minibiblioteka mbesin pa libra atëherë ne do t’i mbushim përsëri. Gjithashtu shpresoj të na bashkëngjiten edhe shtëpitë tjera botuese”, tha Hasaj për Ekonomia Online.