Në fshatin Studençan të Suharekës, sot është bërë hapja zyrtare e Zyrës Sektoriale Policore, në një ceremoni ku morën pjesë përfaqësues institucionalë lokalë e qendrorë, si dhe media.
Sipas njoftimit të Policisë, hapja e kësaj zyreje konsiderohet me rëndësi të veçantë për komunitetin e zonës, pasi synon ta afrojë policinë më pranë qytetarëve dhe të krijojë një pikë të drejtpërdrejtë kontakti për nevojat e tyre të përditshme.
Po ashtu, është theksuar se zyra e re pritet të ndikojë në rritjen e transparencës dhe besimit ndërmjet qytetarëve dhe policisë, duke nxitur bashkëpunimin mes tyre në kuadër të Strategjisë së Policimit në Bashkësi.
“Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i Komunës së Suharekës me stafin e tij, përfaqësues komunal, përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, përfaqësues nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren si dhe përfaqësues nga Stacioni Policor Suharekë.
Policia e Kosovës do të vazhdojë të shtrijë dhe të forcojë implementimin e Strategjisë së Policimit në Bashkësi, gjithmonë në interes të komunitetit”, thotë PK.