Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shpall të hapur me vonesë konkursin për pranimin e studentëve të rinj në vitin e parë të studimeve themelore për vitin akademik 2021-22. E kjo ka shkaktuar shqetësim te studentët, raporton Ekonomia Online.
Nënkryetari i Parlamentit Studentor, Fatlind Azizi ka thënë se këtë vit ndryshe prej vitit të kaluar është vërejtur një rritje e interesimit të maturantëve për të aplikuar në Universitetin e Prishtinës.
“Në ditët e para ka pasur një interesim tepër të madh të maturantëve për t’u regjistruar në Universitetin e Prishtinës. Kjo është një gjë e mirë sepse në vitin paraprak nuk ka pasur një interesim të këtij niveli”, është shprehur ai.
Ndërsa Azizi ka treguar se edhe kësaj radhe maturantët janë të orientuar për regjistrim në fakultetet si ai i Mjekësisë, Filozofikut, Psikologjisë, Ekonomiku e Juridiku.
“Drejtimet kryesore të cilat orientohen maturantët me një shumicë më të madhe janë drejtimet e Fakultetit të Mjekësisë, Filozofikut departamenti Psikologjisë, Ekonomiku, Juridiku”, ka shtuar ai.
Tutje Azizi ka njoftuar se vonesa e hapjës së konkursit për pranimin e studentëve nga UP, ka shfaqur shqetësime te maturantët duke i lënë ata nën ethet e pritjës.
“Ka pasur shqetësime për shkak se shumica e maturantëve ishin nën ethet e provimit pranues dhe prandaj derisa u shfaqen ato datat për shkak të pengesave nga Agjencia e Akreditimit ishin nën ethe se si do të shkoj procesi”, ka përfundur ai.
Në anën tjetër edhe aktivistja nga Organizata Studentore, Studim Kritikë Veprim, Blinera Kadriu, ka thënë për Ekonomia Online se po vazhdon trendi i zgjedhjes së Universitetit public para atyre private.
“Ne si organizatë studentore që jemi Studim Kritikë Veprim para përfundimit të vitit shkollor që kanë pasur maturantët ne kemi marrë si iniciativë një projekt që u kemi treguar cilësitë e Universitetit të Prishtinës nëpër të gjitha shkollat e mesme në komunat e ndryshme të Kosovës, ku kemi arritë edhe në Preshevë të prezantojmë projektin. Interesimi ka qenë mjaftë i madh për shkak se shumica prej tyre prap duan më shumë të pranohen në një univeristet publik se në ato private”, është shprehur ajo.
Sipas Kadriut ndër drejtimet më me përspektivë për të rinjtë aktualisht po shihet Shkenca Kompjuterike apo Inxhinieri Kopjuterike.
“Zakonisht janë këto drejtimet që po i shohin më profitabile siç janë Shkenca kompjuterike, Inxhinieri kompjuterike, që po shohin që në një të ardhme kanë përfitime më të mëdha prej tyre, ka shtuar ajo.
Ndërsa vonesa e hapjës së konkursit nga UP-ja, sipas saj ka shkaktuar stres tek maturantët.
“Them që ka qenë stresuese, për shkak se shtyerja e datave ose mosditja e datave të aplikimeve është ajo që na streson më shumë, ka përfunduar ajo për EO.
UP-ja në vitin e parë të studimeve themelore, në afatin e parë të konkursit për këtë vit akademik, do të regjistrojë 6247 studentë të rregullt.