Prishtinë, 20 korrik – Origami, arti i palosjes së fletëve që shpeshherë asociohet me kulturën japoneze, në Prishtinë ka marrë formë tjetër. Një autobus i përmasave shumë më të mëdha sesa një origami i zakonshëm do të shërbejë si mjet transportues për ata që duan të “udhëtojnë” me të nëpër qytet. Kjo metaforë lidhet ngushtë me situatën politike në vend. Autobusi i cili para tre vjetësh nisi të bartte valën e parë të kosovarëve që morën rrugën për në Gjermani dhe shtete të tjera evropiane, po ashtu lidhet edhe me mungesën e lirisë së lëvizjes si rezultat i mosliberalizimit të vizave. Artisti gjerman i origamive në përmasa reale, Frank Bölter, e nisi këtë projekt gjatë ditës së enjte, në kuadër të edicionit të katërt të festivalit të artit në hapësira publike “Hapu”.
“Prishtina është një hapësirë me probleme politike, dhe në këtë rast kjo është një çështje politike. Unë si artist jam në një pozitë të rehatshme, sepse nuk kam nevojë për leje nga dikush tjetër që të udhëtoj. Dhe nuk e kuptoj përse kjo është e domosdoshme dhe në aspektin human kjo që ndodh këtu është e pakuptimtë”, ka thënë Bölter.
Nata e parë e festivalit u përmbyll me performancën e që erdhi nën koreografi të Chris Haring. “Gjuhët e huaja”, që zuri vend në Muzeun e Kosovës, erdhi si bashkëpunim i Haringut dhe kompanisë së tij “Liquid Loft”, e cila merret me hapësirat publike duke përdorur përplasjet e gjuhëve dhe kontradiktat komunikuese si mjete të krijimit.
“Gjuhët e huaja” njëjtë sikur edhe projekti i Bölterit janë punë krijuese në vazhdimësi. Në këtë formë “Hapu” edhe këtë vit po vazhdon eksplorimin e hapësirave dhe pikave të ndryshme në kryeqytet, për t’i shndërruar ato më pas në hapësira artistike e krijuese