Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim, të dielën në mbrëmje, përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës së Kosovës (SBAShK), të cilëve ua ka prezantuar ofertën e Qeverisë së Kosovës për ndërprerjen e grevës.
Për mbi 20 mijë të punësuar në sektorin e arsimit, vlera e rritjes është rreth 20 milionë euro në vit. Kjo është oferta më e madhe që i bëhet sektorit të arsimit, ka thënë Haradinaj, në një konferencë për medie. .
Haradinaj tha se këto janë mundësitë e Kosovës dhe se nuk do të ketë rritje tjetër të pagave, në një kohë të afërt, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se nuk do të ketë ofertë tjetër. “Ekziston një rrezik që Këshilli Grevist me mbetë në grevë duke pritur një ofertë tjetër, por nuk ka ofertë tjetër”.
Kreu i Qeverisë iu ka bërë thirrje arsimtarëve që t’i kthehen procesit mësimor.
Haradinaj ka shpjeguar se për 5 000 mësimdhënës në shkollat e mesme do të ketë nga 74.8 euro më shumë në muaj;
Për 14 790 mësimdhënës në arsimin fillor, nga 46.8 euro më shumë ne muaj;
Për 912 mësimdhënës ne arsimin parashkollor, nga 49.8 euro më shumë ne muaj;
Për 125 mësimdhënës në shkollat speciale, nga 49.8 euro më shumë në muaj.
Zyrtarët e Qeverisë kanë shpërndarë për gazetarët ofertën në letër që i është dorëzuar kryetarit të SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.
Ky i fundit nuk është prononcuar për medie. Por pritet që ai t’i përgjigjet shumë shpejt kryeministrit Haradinajt, nëse e pranojnë ofertën e tij.
Haradinaj tha se ata ende nuk kanë marrë konfirmim nëse Këshilli Grevist do ta pranojë këtë ofertë. “Nuk kemi marrë një konfirmim pajtimi, por kam bërë përpjekje t’i njoftoj ata se çfarë është fjala. Ata mund ta barrikadojnë veten me grevë, por Qeveria nuk ka si ta bëjë ndryshe”, deklaroi Haradinaj, raporton EO.