Vendimi për heqjen e akcizës për kultivuesit vendor të duhanit, nuk po bëhet vetëm në favor të Gazmend Abrashit, i cili është këshilltar i kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, raporton Ekonomia Online.
Kështu është shprehur kreu i ekzekutivit, derisa shtoi, se qëllimi është për t’i përkrahur prodhuesit vendës.
“Vendimi i këtillë e ka një element që nuk po shpjegohet. Ai vendim jua mundëson që gjithë ata që importojnë cigare me i mbush apo paketu në Kosovë. Çdo kush në Kosovë mundet me kultivuar me mbush dhe nuk është vetëm për Gazmend Abrashin vendimi. Unë jam për me i përkrah më shume prodhuesit vendor. Nëse BE ka bazë të caktuar ligjore ne do ta shqyrtojmë këtë. Pse ne duhet gjithë jetën me e marr prej dikujt, mundemi vet”, tha Haradinaj.
Këto komente, Haradinaj i bëri në një konferencë për media pas mbledhjes së kabinetit qeveritar.
Ai tutje foli edhe për shëndetin e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ku uroj që të ketë shërim sa më të shpejtë.
“Mora vesh që Albini ka pasur një shqetësim shëndetësore, unë ja kam ofruar ndihmën tonë edhe si Qeveri, ishalla nuk e ka ndonjë kiamet, i uroj shërim te plotë”, është shprehur Haradinaj.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, është shtrirë në QKUK, përkatësisht në klinikën infektive, për shkak të një infeksioni gripal.