“Si Deçan kemi kontribuar nëpër breza dhe kemi paguar çmim të madh dhe është me rëndësi ta dini se edhe në këtë kohë të qeverisjes kemi bërë kujdes që investimi i brezave të mos humbë por vetëm të rritet dhe forcohet. Mendoj që ato pikëpyetjet për Kosovën janë larguar, Kosova është vetvetja”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë fjalës së tij në pritjen për fundvit të Komunës së Deçanit.
Pasi falënderoi kryetarin e Komunës, bashkëpartiakë, familjarë të dëshmorëve e martirëve, si dhe zyrtarë të të gjitha niveleve qeverisëse, tha se nuk ka dilemë që më dëshirën më të madhe po të kishte mundësi do t’i vizitonte të gjitha familjet në secilën shtëpi, qoftë për t’i dëgjuar për hallet e tyre, por edhe të bisedojnë për temat që i presin.
“E kam kënaqësi të madhe çdoherë që vijë tek ju, të ju takoj e dëgjoj temat e Deçanit. Sa herë kam pasur rastin ta pres kryetarin Ramosaj me kolegë të tjerë, jam munduar ta shfrytëzoj atë kohë për punët e këtushme të Deçanit. Nuk na ka hije që të lavdërohemi për punët që bëhen në Deçan, sepse prej nesh tash pret e gjithë Kosova e atdheu, por ju siguroj se e kam pasur edhe unë më të lehtë për shkak të kompetencës që ka treguar kryetari dhe të gjithë ju” tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj theksoi se fillimi është më i vështirë, por edhe në këtë fillim nuk kanë dështuar.
“Jemi në punë dhe mendoj që koha që do të vjen do të jetë edhe më e çmuar për ato punë që na presin dhe ju siguroj se do të jemi bashkë. Me ditën e sotme, me simbolikën e nënshkrimit nga Presidenti Thaçi të tri ligjeve për ushtrinë, më nuk ka kthim mbrapa, ushtria është realitet”, shtoi kryeministri Haradinaj.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, shprehu mirënjohjen e qytetarëve të Deçanit për Qeverinë Haradinaj në përgjithësi, derisa një mirënjohje të veçantë ia ka dedikuar kryeministrit Ramush Haradinaj për praninë e tij dhe angazhimin e vazhdueshëm për të mbështetur këtë komunë.
Me këtë rast, kryetari Ramosaj tha se është me fat që në mandatin e tij si kryetar, komuna ta ketë për kryeministër njeriun që është i destinuar të jetë model dhe hero në rrugëtimin e tyre.
“Qeveria Haradinaj po ia kthen shpresën komunës tonë në veçanti dhe shtetit të Kosovës në përgjithësi”, tha kryetari Ramosaj, duke theksuar se falë mbështetjes së Qeverisë gjatë kësaj periudhe janë bërë investime të shumta në infrastrukturën rrugore, arsim, shëndetësi, bujqësi, por edhe fusha të tjera me interes për qytetarët tanë.