Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar protestën e sotme të Lëvizjes Vetëvendosje, duke u dalë në përkrahje.
Ai ka falënderuar protestuesit “për kulturën qytetare të treguar gjatë protestës së sotme”, e po ashtu ka përshëndetur edhe “shprehjen e shqetësimit të një numri kaq të respektueshëm të qytetarëve të Kosovës për çështje që janë jetike për të ardhmen e vendit”.
“Unë këto ditë në Amerikë kam përçuar porosinë e popullit të Kosovës se kufijtë e Kosovës janë ata të 17 shkurtit të vitit 2008 dhe se e ardhmja e Kosovës nuk do të ndërtohet duke cenuar sovranitetin e saj me kompromise territoriale. Shteti i Kosovës është në rrugën e drejtë të kompletimit të kapaciteteve të saja kushtetuese, veçanërisht të transformimit të FSK-së në ushtri, dhe për këtë kemi përkrahjen e aleatëve strategjikë të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.