Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi duhet të zgjidhet, pavarësisht se është i vetëdijshëm se nuk pret ndonjë mrekulli.
“Për çështjen e kufirit fatkeqësisht është situatë shumë e papërshtatshme. Nuk na pëlqen që jemi në këtë realitet, sepse është një marrëveshje që duhet arritur nga dy qeveritë”, ka thënë Haradinaj, gjatë një interviste në emisionin “New Bugajski Hour”, në RTK.
“Në Kosovë është një pjesë e shoqërisë sonë që besojmë se është bërë gabim. Si rezultat i kësaj është se Parlamenti është ndarë, andaj nuk ka dy të tretat për këtë”, ka shtuar ai.
Haradinaj ka thënë se Qeveria e ka parë krijimin e një komisioni të ri si mundësi për zbulimin e së vërtetës për demarkacionin me Malin e Zi.
“Ajo çfarë kam bërë është se nuk dua ta mbaj atje përgjithmonë, dhe të shpresoj se një ditë me ndonjë mrekulli t’i kemi dy të tretat”, është shprehur ai, duke folur në anglisht.
“E ndërmora, pra, një qasje jo shumë të përkrahur nga partnerët ndërkombëtarë, andaj e lirova Komisionin e kaluar – jo unë, por ne, Qeveria, dhe e krijuam një të ri, dhe u dhamë mundësinë ta zbulojnë të vërtetën për marrëveshjen për vijën e kufirit”, ka thënë Haradinaj.
“Sapo ta kenë rezultatin, menjëherë do t’i qasemi. Fillimisht me partnerët politikë në Kosovë, dhe me partitë politike, përfshirë edhe ato të opozitës, që ta dimë se ku jemi. Por, njëkohësisht, Uashingtoni dhe miqtë e tjerë, ose evropianët, të dinë që ky është realiteti ynë, dhe në atë rast do t’i qasemi Malit të Zi dhe t’i tregojmë për zhvillimet tona të reja”, ka shtuar ai.
“Nëse mendojnë që është në rregull të rinegociojmë, po – nëse jo, mund të përfundojmë në arbitrazh”, është shprehur kryeministri kosovar.