Haradinaj dhe Limaj pritet të dëgjohen si dëshmitarë në gjykimin ndaj Begajt dhe të tjerëve për korrupsion

Prishtinë | 19 Maj 2023 | 08:53 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten, ka aprovuar propozimin e avokatit Ymer Huruglica, mbrojtës i të akuzuarit Bajram Hasani, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë, për dëgjimin e Ramush Hajrednajt ish-kryeministër dhe Fatmr Limaj ish-zëvendëskryeministër në rastin ku Hasani bashkë me ish-zëvendësministrin Faton Thaqi dhe ish-kryetarin e Malishevës, Ragip Begaj po akuzohen për korrupsion.

Bashkë më ta po akuzohen edhe Bashkim Krasniqi, drejtor i Gjeodezisë në Komunën e Malishevës, Malë Krasniqi, shefi i Gjeodezisë në Komunën e Malishevës, Nazmi Kafexholli, inspektor i Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe Ahmet Rrahmanaj, i cili po akuzohet për shpëlarje të parave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Hasani, avokati Huruglica, një propozim të tillë e bëri me arsyetimin se në kohën kur ka qenë kryeministër Haradinaj është marrë vendimi që zonat kadastrale Bellanicë, Senik dhe Banjë të shpallen zona me interes të veçantë për themelimin e zonës ekonomike.

Sipas tij, këta dëshmitarë do të sqarojnë cilat kanë qenë arsye që këto tri zona kadastrale të shpallën zona me interes të veçantë pasi i akuzuari Hasani në kohën kur ka qenë Ministër i Tregtisë ka bërë vetëm projektpropozimin në Qeveri.

Ky propozim u kundërshtua nga prokurori i shtetit Naim Abazi, me arsyetimin se nuk ka ndonjë relevancë për këtë çështje pasi që të njëjtit kanë qenë pjesë e Qeverisë dhe posedojnë procesverbalet se çfarë kanë deklaruar.

Propozimi aprovua nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili.

Paraprakisht, gjatë kësaj seance në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua, Hazir Hoxha.

Gjatë deklarimit të tij, dëshmitari Hoxha ka tha se nuk ka qenë në rregull krijimi i “zonës ekonomike” në fshatin Bellanicë, Banjë dhe Senik pasi iu është ngulfatur pretendimi i tyre që ta kthejnë pronën që e kanë trashëguar nga të parët e tyre, për të cilat tha se janë prona të tyre.

Sipas tij, këto prona janë marrë nga AKM-ja në dhjetor të vitit 1958 në emër të reformës agrare dhe kolonizimit.

Sa i përket këtyre pronave, dëshmitari Hoxha tha se iu kanë drejtuar gjitha institucioneve shtetërore dhe kryeprokurorit të shtetit në atë kohë Aleksander Lumezit por nuk iu kanë kthyer përgjigje.

“Unë besoj që këtu është një trekëndësh në mes Gjykatës, Komunës dhe ish Ndërmarrja Bujqësore Mirusha, mbi këtë trekëndësh është AKP-ja”, tha Hoxha.

Dëshmitari Hoxha, tutje ka thënë se është i bindur që dëshmitaret që janë dëgjuar në këtë seancë në këtë çështje penale nuk e kanë thënë të vërtetën, pasi njëri nga ta ka thënë se kinse Komuna e Malishevës në pronësinë e saj i ka vetëm 30 hektarë e në realitet e njëjta i ka në pronësi të saj 45 hektarë e që gjinden afër Aeroportit Bujqësor. Këtë deklarim i Hoxha e bëri duke u bazuar në atë se çfarë i kishte thënë ish-kryetari i Malishevës Isni Kila

Tutje, dëshmitari Hoxha është pyetur nga gjykatësi Ismaili se që sa vite i kanë lëndët në gjykatë për kthimin e pronave, me ç’rast i njëjti ka thënë se, prej vitit 2005-2006 lëndët për kthimin e pronave kanë qenë në ish Gjykatën Komunale të Malishevës dhe se deri në vitin 2007 nuk është marrë asnjë vendim, në këtë vit iu është njohur e drejta vetëm një pronari, por shkalla e dytë e kishte anuluar.

Lidhur me këtë, dëshmitari Hoxha ka thënë se Gjykata Komunale e Malishevës nuk ka pasë të drejtë të pranojë lëndën e leje për t’i shqyrtuar pasi e njëjta sipas tij, është dashur ta shpallë veten jokompetente pas në vitin 2002 është formuar Dhoma e Veçantë në kuadër të Gjykatës Supreme vetëm për këto çështje.

“Gjykata ish-komunale është dashur ta shpallë vetën inkompetente për këtë çështje, pasi nga viti 2002 është formuar Dhoma e Veçantë në kuadër të Gjykatës Supreme vetëm për këtë çështje”, tha Hoxha.

I njëjti ka shtuar se, në vitin 2003 ishte marrë iniciativë nga asambleja Komunale e Malishevës për t’u aprovuar një rregullore qe të iu kthehen banorëve pronat, mirëpo nuk kishin marrë asnjë përgjigje.

Tutje, dëshmitari Hoxha ka thënë se, në vitin 2004 Komuna iu ka lëshuar me qera prona atyre të cilët kanë dashur të marrin, në mesin e tyre ka qenë edhe babai i tij ndërsa në një dokument të lëshuar nga zyra e gjeodezisë Komunale në Malishevë ish-drejtorit të zyrës komunale për gjeodezi dhe kadastër Nuhi Shala thuhet “i ipet prona shoqërore në shfrytëzim që ka prejardhjen prej pasurisë private”.

Ku sipas dëshmitarit Hoxha, dokumenti i lartcekur ka humb dikun nga APK-ja.

Lidhur me këtë dëshmitari Hoxha ka deklaruar se, tani pronat- parcela zyrtarisht figuron në emër të AKP-së, ndërsa më herët ka qenë në emër të babait të tij.

Dëshmitari Hoxha tha se, e shohin veten të dëmtuar nga bashkëpunimi i prokurorit Abazit me të dëmtuarin AKP-së, me arsyetimin se me këtë të fundit kanë pasur marrëveshje për t’i informuar gjithçka në lidhje me pronat.

I njëjti më pas është pyetur nga prokurori Abazi, se a mund ta sqaronte pse mendonte që Prokuroria ka bashkëpunuar me AKP-ën.

Lidhur me këtë, dëshmitari Hoxha ka thënë se këtë e bazon në atë se çfarë ka deklaruar përfaqësuesi i AKP-së, Arben Hasi në seancën e 21 shkurt 2022, ku ndër të tjerash, Hasi kishte thënë se ai do të bashkëpunojë  me Prokurorinë deri në përfundim të këtij procesi gjyqësor.

Dëshmitari Hoxha ka shtuar se, shumica e këtyre të akuzuarve që ishin në sallë ishin vetëm sa për ta bërë lëndën voluminoze sepse nuk kanë kurrfarë faji.

Në fund të deklarimit të tij. Hoxha, tha se, i bënë thirrje Prokurorisë ta tërheqë këtë aktakuzë si të pabazuar në fakte dhe prova, duke e lutur gjykatën ta hudhë poshtë këtë aktakuzë sepse është e pa rregullt dhe të ndërmerr ndonjë veprim në favor të tyre.

Ndërsa, ka kërkuar të rrezohet kjo aktakuzë, pasi sipas tij është duke e kamufluar krimi i mëhershëm.

Lidhur me deklarimin e dëshmitarit Hoxha, avokati mbrojtës i të akuzuarit Begaj tha se pajtohet plotësisht me thënien e dëshmitarit Hoxha se aktakuza është e pabazuar.

Seanca e radhës u caktua më 25 korrik 2023 në ora 13:15.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 1 korrik 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaqi, Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmanaj.

Sipas aktakuzës, Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtarë”.

Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje e parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.

Sipas aktakuzës, Begaj akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me ministrin e atëhershëm të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Faton Thaqi duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, duke e shpallur zonë me interes të veçantë.

Sipas aktit akuzues, Bashkim Krasniqi në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi dhe Kadastër, Malë Krasniqi në cilësinë e shefit të shërbimeve të Gjeodezisë, Hajdin Berisha në cilësinë e nënkryetarit të komunës dhe Faton Thaqi në cilësinë e zëvendësministrit, akuzohen se në bashkëkryerje nga periudha kohore 22 maj 2018 deri më 5 qershor 2018, varësisht nga pozitat, kanë shfrytëzuar autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tyre kanë mundësuar shpalljen e zonës me interes të veçantë ekonomik me qëllim të themelimit të Zonës Ekonomike në Komunën e Malishevës, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në mënyrë që të vazhdohej me procedurat e shpronësimit.

Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Malë Krsaniqi, pasi e kishte ditur për krijimin e Zonës Ekonomike, kishte blerë pronë në zonat kadastrale Banjë dhe Lladrovc me çmim prej 25 euro për ari, duke qenë në dijeni se këto prona do të shpronësohen nga Qeveria e Kosovës, e ku çmimi do të ishte shumë më i lartë.

Sipas aktakuzës i akuzuari Nazmi Kafexholli, akuzohet se në cilësinë e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, duke qenë në dijeni për krijimin e Zonës Ekonomike, dhe me qëllim që t’i rrit vlerën tokës, kishte marrë me qera pronën e të ndjerit M.H. ku kishte ngritur pemishte për çka kishte përfituar edhe grante nga Ministria e Bujqësisë.

Tutje, sipas aktit akuzues, Ahmet Rrahmanaj nga viti 2007 deri më 2013 në vazhdimësi duke e ditur se parcelat e tokës në pronësi shoqërore janë blerë dhe krijuar me aktivitete kriminale, ka transferuar dhe njëkohësisht ka tentuar të transferojë pronat me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës dhe shmangies nga pasojat juridike.

Në aktin akuzues thuhet se Rrahmanaj, ka privatizuar pronat e “Neëco Mirusha” tokë bujqësore në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në Komunën e Malishevës me çmim artificialisht të ulët 1,222,333.00 euro sipërfaqe prej 1,157 hektarë e 51 ari për 99 vite, për këtë i akuzuari më 11 korrik 2013 ka bërë bartjen e tokës në emër të personit tani të ndjerë M.H. si përfitues i tokës në sipërfaqe prej 203 hektar e 11 ari, ku për këtë transaksion, të akuzuarit i ishin transferuar 200 mijë euro në llogari bankare, mirëpo të njëjtat ia kishte kthyer të ndjerit M.H. dhe gjithë kjo ishte bërë me qëllim të kinse shitblerjes që kishte ndodhur në vitin 2007.

Të ngjashme