“Më tutje dialogu nuk pati domethënie të vërtetë. Jemi të shqetësuar, meqë nuk duhet të jetë dialog sa për dialog, por dialog për përparimin e shoqërisë sonë, në të dy vendet. Jam përpjekur që si Qeveri të përgatisim platformën për fazën e ardhshme të dialogut dhe ajo do t’i propozohet Kuvendit tonë ku të gjithë do të kenë mundësinë të japin kontributin”, tha Haradinaj.
I pyetur nëse më fund do të formohet Asociacioni i Komunave m e shumicë serbe, Haradinaj u përgjigj se formimi i Asociacionit edhe më tutje ka mundësi të formohet sipas Kushtetutës së Kosovës, e cila formimin e një asociacioni të tillë e sheh si “si organ koordinues, por kurrsesi ekzekutiv”.
Kryeministri i Kosovës për mundësinë e ndarjes së Kosovës ka thënë “Loja me kufijtë është e rrezikshme për Ballkanin, pavarësisht se kush luan me ta”.
“Nuk besoj se ato janë tregime serioze dhe nuk do të doja që për këtë të flas ndonjëherë, meqë e di se çfarë do të pasojë nëse bëjmë lojë me to. Do të pasonin tragjeditë të cilat na kujtohen sot e kësaj dite dhe nuk më duket mençuri të flasim për to. Është shumë gjë e rrezikshme”, ka thënë kryeministri i Kosovës.
Haradinaj ka thënë se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi do të zgjidhet dhe Kosova përfundimisht të marrë liberalizimin e vizave.
Për Gjykatën Speciale për krimet e UÇK-së, që do të fillojë punën në Hagë, Haradinaj ka thënë se bëhet fjalë për diskriminim “meqë nuk kërkohet e drejta për të gjitha viktimat, por vetëm për disa sipas seleksionimit kombëtar, që nuk është rruga më e mirë për drejtësi”.
Ndonëse ka kundërshtuar më herët këtë gjykatë, tash thotë se Kosova do të përmbushë detyrimet e marra dhe do të bashkëpunojë me gjykatën.