Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të përfundoj me njohje reciproke.
Ai ka thënë se këto qëndrime i ka dhënë gjatë takimit me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Haradinaj ka thënë se ka falënderuar Lajçakun për angazhimin në procesin e dialogut.
Postimi i plotë i tij:
Prita sot Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, z. Miroslav Lajčak.
Ripërsërita qëndrimet tona për dialogun, domosdoshmërinë e rolit strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe respekton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Bashkërisht vlerësuam zgjedhjet e 14 shkurtit si fitore për demokracinë dhe theksuam nevojën e konstituimit të institucioneve të reja, në afat sa më të shpejt.
Z. Lajčak e falënderova për angazhimin e tij dhe të Bashkimit Evropian në këtë proces të rëndësishëm për vendin tonë.