Haradinaj: E habitshme se si liderët institucionalë të Kosovës kanë shpërfillur kërkesat e ShBA-së dhe BE-së

Prishtinë | 26 Mar 2024 | 12:58 | Nga Iliriana Pylla

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë  e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me letrën që krerët e vendit ia kanë dërguar raportueses së KiE-së, Dora Bakojanis duke thënë se mund të jetë standard para aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por kurrsesi nuk mund të cilësohet formalitet, siç e quan pushteti.

“E kuptueshme që letra e tre krerëve shtetëror dërguar raportueses së KiE, Dora Bakojanis, mund të jetë standard para aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por kurrsesi nuk mund të cilësohet formalitet, siç e quan pushteti, sepse gama e zotimeve në atë letër është shumë e gjerë dhe përfshinë obligime konkrete. Ata zotohen se do të zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit, duke përfshirë edhe Asociacionin. Pyetja është, pse kanë pasur nevojë që deri me tash ta zhagisin zbatimin e kësaj marrëveshjeje e të thonë herë e zbatojmë herë nuk e zbatojmë. Psh. thuhet se liderët institucionalë zotohen se “do të respektohet pavarësia e gjyqësorit dhe do të hiqet dorë nga “kritikat e tepruara ndaj gjyqësorit”. Kjo dmth se këta zotohen të heqin dorë nga diçka që e kanë aplikuar deri me tash”, ka shkruar Haradinaj.

Kryetari i AAK-së ka shtuar se, aty thuhet “Të përmbahemi nga përdorimi i policisë speciale në veri të Kosovës për detyra të zakonshme policore e të sigurohemi se ato dislokohen vetëm në rast nevoje”, që i bjen se deri më tash nuk e kanë zbatuar këtë standard që aq shpesh është kërkuar nga aleatët tanë.

Zotohen për shpronësimet në veri, për mbrojtjen e pronave të Kishës Ortodokse Serbe, për integrimin e pakicave; për gjuhët e tyre, shkollimin tekstet … e kështu me radhë.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është ngjarje e madhe dhe hap i rëndësishëm drejt integrimit në BE dhe ndoshta letra e zotimeve drejtuar Bakojanis përfshihet në këtë kuadër, por është e habitshme se si liderët institucionalë të Kosovës, deri me tash kanë shpërfillur kërkesat e njëjta nga nivele shumë të larta të ShBA dhe BE, dhe pikërisht për këtë sot jemi edhe nën sanksione, edhe në marrëdhënie shumë të acaruara me ShBA e BE, edhe të detyruar t’i përsërisim zgjedhjet në veri, edhe të merremi me dinarin, edhe në pozitën më të keqe të mundshme në procesin e dialogut me Serbinë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Të ngjashme