Kryeministri Ramush Haradinaj, pas një vizite në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, ka siguruar se nuk do të ketë shtrenjtim të rrymës “tash për tash”.
Haradinaj fajin për reduktimet e fundit të rrymës ia hodhi KEK-ut dhe KEDS-it duke thënë se janë duke u munduar të gjejnë se kush po “rren”, raporton Ekonomia Online.
“Ne kemi mbetur në mes disa lojtarëve; KEK-u garanton se 83% të nevojave i plotëson nga prodhimi, ndërsa rreth 17% është import. Në kohën e pikut në mbrëmje, po kanë vështirësi, tash. Dikush është duke rrejt prej këtyre: KEK-ut, KEDS-i edhe ai tjetri. Jemi tu e përcjell pse po ndodh kështu”.
“E vërteta është se gjendja në energji është stabile, me mundësi që në mes të shkurtit me pas prodhim 100%”, shtoi kreu i Qeverisë.
“Mediat duhet me pas etikë. Kam thënë që nuk do të ketë rritje, nuk e di pse po vazhdojnë të thojnë që do të ketë. Tash për tash nuk do të ketë rritje të çmimit”, përsëriti Haradinaj.
Lluka: Në muajt e parë të mandatit kemi kryer punë që me vite nuk janë përfunduar
Shefi i Qeverisë vizitoi sot Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZhE), ku u prit nga ministri i tij, Valdrin Lluka. Gjatë takimit ata biseduan për zhvillimin ekonomik në Kosovë, duke u fokusuar në sektorin e energjetikës.
Ministri Lluka, angazhimin e kryeministrit Haradinaj, e vlerësoi si shumë të rëndësishëm. Ai tha që së bashku me të kanë arritur që në muajt e parë të mandatit të kryejnë punë që me vite nuk janë përfunduar.
“Kemi fokus të veçantë në zhvillimin e sektorit energjetik. Kemi biseduar edhe për minierat si dhe për hapjen e disa minierave të reja për të ndihmuar në këtë fushë. Angazhimi i kryeministrit ka qenë i nevojshëm për ne, sepse disa projekte kanë marrë kohë”, deklaroi kreu i MZhE-së.