Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje me kreun e saj Ramush Haradinaj, ku është diskutuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.
Pas përfundimit të kësaj mbledhje, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në një konferencë për media ka thënë se i ka dërguar letër VV-së dhe LDK-së që të organizojnë një takim që të mund të flasin për formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ai gjithashtu premtoi se nuk do të humbasin kohë për formimin e qeverisë.
“Unë tregova çfarë do të bëjë gjatë kësaj jave, pra kam propozuar takim për nesër me Vetëvendosjen, me kryetarin Visar Ymeri dhe kolegët e kryesisë. Kam propozuar takim me LDK-në, kam kërkuar me shkresë zotëri Mustafa. Takimi kam propozuar të mbahen në ndërtesën e parlamentit, në zyret e grupit parlamentar ose të AAK-së ose të Vetëvendosjes ose të LDK-së. Ne do të konsultohemi edhe me listën serbe edhe me komunitetet tjera. Njëkohësisht nuk do të ndalemi me fol më çdo deputet të Kuvendit, të zgjedhur. Ajo që mundem me siguru Kosovën është se qeverinë do ta kemi ashtu siç jemi deklaruar,në afat rekord. Pra, nuk do të humbim kohë”, tha Haradinaj.
Haradinaj theksoi se në javën tjetër do të caktohet seanca konstituive e Kuvendit në të cilën pret që të caktohet si mandatar për formimin e Qeverisë, duke u shprehur i sigurt se PAN do ta formojë qeverinë dhe do te vazhdojnë të bashkuar.