Haradinaj: Heqja e taksës 100% për Vuçiqin e Dodikun, leje për ripushtimin ekonomik e tregtar të Kosovës

Prishtinë | 31 Mar 2020 | 23:17 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se heqja e taksës 100% për Vuçiqin e Serbisë e Dodikun e Republikës serbe të Bosnjës, është nënshkrim i dhënë për të lejuar ripushtimin ekonomik e tregtar serb në Kosovë.

Haradinaj, në një postim në Facebook, ka rikujtuar se vendimi i Qeverisë i datës 21 nëntor 2018 vendosë taksën 100% në pikën 1, dhe poashtu vendosë masat e reciprocitetit ndaj Serbisë në pikat 3, 4, 5, dhe 6. E sipas tij, sonte Kurti po mundohet t’ia shet popullit si “shpikje politike” e tij.

“Në fakt, vendimi i sontëm i Qeverisë në largim është heqje e taksës 100% dhe mbajtje e masave të reciprocitetit që i vendosëm ne dikur, por assesi nuk është reciprociteti i plotë politik, ekonomik e tregtar që e premtoi Kurti dhe e votoi dikur Kuvendi me rezolutë”.

“Me këtë mashtrim, Kurti ia humbi përfundimisht Kosovës kapitalin politik të krijuar me taksën 100%, i cili ishte dizajnuar të përdoret në këmbim të marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Harresa e tij kombëtare dhe shkurtpamësia e tij shtetërore ia përcaktoi edhe jetëgjatësinë e tij politike. Do ta mbajmë në mend përherë si kryeministër që ia çeli derën Serbisë së udhëhequr nga ish-ministri i Millosheviqit, pa nder, dhe pa kundërvlerë”, ka shkruar Haradinaj.

Të ngjashme