Nasim Haradinaj ka vazhduar që edhe sot të deklarohet në Gjykatën Speciale në Hagë. Gjatë marrjes në pyetje ndër të tjerash, Haradinaj tha se në dokumentet që u kanë shkuar në zyre ka parë edhe aktgjykime nga gjykatat serbe të vitit 1981.
“Është thënë që Gjykata po bëhet për hir se në Kosovë mundet me pas ndikim me hetu dëshmitarë mos me hetu dëshmitarë. Të gjitha ato u panë aty, emra, mbiemra. Kam parë aktgjykime që kanë qenë të 1981 të gjykatave serbe dhe kjo më shqetësoi mua”, deklaroi Haradinaj.
Ai gjithashtu deklaroi se është e kot që dëshmitarët të quhen të mbrojtur, pasi sipas Haradinajt ata njihen me vite në Kosovë.
“Kush është ai që na i sjelli, pse na i sjelli. Cili është? Komplet kësaj veç do ta përsërisë edhe njëherë për të qenë i qartë për të gjithë. Se kuptoj as sot. Po e përsërisë dhe po ta them edhe njëherë. Harxhoni kot fjalë me thanë që ka dëshmitarë të mbrojtur, se pesë vjet pas ardhur këto gjëra këta emra janë përsëritur dhe po përsëriten në Kosovë”, ka thënë ai.
Haradinaj u pyet edhe nëse kanë redaktuar emra në dokumentet që i kanë pranuar në zyret e OVL-UÇK-së.
“Këto dokumente nuk janë tonat dhe dikush na i ka sjell. Vetëm Kaq, jo më tepër. S’kam qit asnjë dokument ku shihet ndonjë emër, ndonjë shkrim. Çka di unë me redaktu. Je ka më ngarkon me kompetenca që i ki këtu ti me i bë dhe po më ngarkon me kompetenca tuaj që është kompetencë e juaja me i rujtë dokumentet. Unë nuk kam pas nevojë me publiku asnjë send, asnjë faqe se kam publikuar. Çka me redaktu kur s’kam publiku”, ka thënë ai.
Pas insistimit të prokurorit, Haradinaj iu drejtua atij me fjalët “mos e luaj rolin e budallës”.
“Zoti prokuror po më vjen keq që po më detyron me këto fjalë, mos e luj rolin e budallës duke u bërë sikur s’po e dinë se çfarë thashë, se edhe njëherë kërkojë të ndërrohen përkthyesit se nuk po më kupton se çfarë po thom”, ka thënë ai.