Ish- shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë̈ e Kosovës (AAK), njëherit edhe kandidat për deputet, Daut Haradinaj ka reaguar pas kërcënimeve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai ka thënë se gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet e Vuçiq në llogari të Kosovës, nuk i ndihmojnë aspak stabilitetit rajonal.
“Ngritja e kapaciteteve ushtarake në gjendje gatishmërie, me pretekst se “ndjehet i kërcënuar nga situata në Kosovë”, është gjuhë e rrezikshme, nga e cila ka pësuar i tërë rajoni, ndërkaq Serbisë i ka sjell humbje të luftërave dhe izolim”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.
Tutje, ai është shprehur se Kosova ka një forcë mbrojtëse moderne cila po merr pjesë në misione paqëruajtëse, me synim anëtarësimin sa më të shpejtë në NATO.
“Uroj që edhe Serbia sa më parë t’i bashkohet aleancës perëndimore, duke llogaritur paqe, stabilitet, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë me të gjithë fqinjët e saj”, ka thënë ai.
“Neve jemi më shumë se të vendosur në rrugën tonë drejt perëndimit. Kosova është shtet i pavarur dhe nuk ka kthim mbrapa”, ka përfunduar Haradinaj.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë sot në takimin me përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë serbe se u diskutuan të gjitha mundësitë e rrezikimit të sigurisë së Serbisë.
Ai përmendi edhe Kosovën, derisa tha se duhet ta ruajnë sigurinë e vendit.