Haradinaj kërkon nga Qeveria e ardhshme të ndryshojë vlerën e koeficientit: Qeveria i vuri vulë mashtrimit

Prishtinë | 01 Shk 2023 | 15:03 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria e ardhshme ta rrisë koeficientin e pagave, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj ka thënë se me vendimin e sotëm, Qeveria Kurti i “vuri vulën e mashtrimit”.

Kreu i AAK-së, ka thënë se fshehja e deritashme e koeficientit kishte për qëllim t’i zë në befasi të pakënaqurit me këtë vendim.

“Qeveria e re, në ditën e parë të punës, në takimin e parë, vendimin e parë ta marrë për ta rritur koeficientin e pagave, që përjetë të respektohen zyrtarët në sektorin publik. Përndryshe, sot qeveria i vuri vulë mashtrimit. Fshehja e deritashme e koeficientit kishte për qëllim t’i zë në befasi të pakënaqurit me këtë vendim. E ata janë shumë! Krejt ky veprim i qeverisë, në mënyrë që të sabotojë mundësinë për sfidimin dhe shfrytëzimin e proceseve dhe mekanizmave ligjorë kundër këtij ligji i cili  nëpunësit dhe profesionistët shtetërorë i trajton si ‘armiqësorë’, i anatemon”, ka shkruar Haradinaj.

“Kishte për qëllim t’i fusë në debate dhe përplasje edhe përfaqësuesit e ndryshëm sektorialë, duke bërë rritje të kamufluara për disa sektorë, nivele dhe pozita, përderisa shumicës ia konfirmon ato paga që i kishin tashmë. Ligji sipas këtij koeficienti ka krijuar terren për keqkuptime ndaj kundërshtimeve opozitare të një vendimmarrjeje qeveritare arbitrare dhe përjashtuese. Kjo qasje është fyese! Ky koeficient është alarmues dhe mashtrues”, ka shkruar tutje Haradinaj.

Të ngjashme