Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përcjellë me shqetësim lajmet për tërmetet e njëpasnjëshme që goditën Shqipërinë dhe një pjesë të Kosovës gjatë natës.
Me këtë rast, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se mendimet dhe lutjet e tij janë me të gjithë qytetarët që pësuan dhe ata që presin me padurim lajme për familjarët e tyre.
“Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmën e saj të pakursyer popullit dhe shtetit të Shqipërisë për të tejkaluar këtë situatë të rëndë. Të gjithë të lënduarve shërim sa më të shpejt dhe për ata që pësuan do të jemi në dispozicion të plotë”, është shprehur kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.
Për ndodhinë tragjike në Shqipëri, kryeministri në detyrë Haradinaj ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me Presidentin Ilir Meta, të cilit i ka shprehur solidaritetin dhe gatishmërinë e popullit të Kosovës për të ofruar tërë ndihmën e nevojshme për të përballuar këtë situatë të rëndë në Shqipëri.
Po sot, që nga orët e para të mëngjesit Kryeministri në detyrë Haradinaj ka qenë në komunikim me të gjitha institucionet e sigurisë, për të shikuar të gjitha procedurat protokollare dhe ligjore për veprimet e nevojshme në situata të tilla emergjente. Përkitazi me këto veprime, fillimisht është zhvilluar një bisedë telefonike me Drejtorin e Policisë së Kosovës dhe Komandantin e FSK-së.
“Kam kërkuar nga Gjenerali Rrahman Rama, Drejtori i Policisë Rashit Qalaj, që të mobilizojnë të gjitha njësitet emergjente për t’i dalë në ndihmë shtetit dhe qytetarëve të Shqipërisë me të gjitha kapacitetet e nevojshme”, ka bërë të ditur kryeministri në detyrë Haradinaj.
Përveç kësaj për të vazhduar angazhimin konkret të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri në detyrë Haradinaj ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të finalizuar procedurat dhe protokollet institucionale, për t’i dalë në ndihmë Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar, pas tërmeteve të njëpasnjëshme që kanë goditur këtë vend dhe pas pasojave tragjike.