Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, organizoi pritje për përfaqësuesit e medieve dhe shoqërisë civile me rastin e festave të fundvitit.
Haradinaj tha se puna e gazetarit nuk është e lehtë “për shkak të dinamikës dhe mundësive financiare”.
Ai e komentoi dhe vendimin e fundit për rritjen e pagave në Qeveri. “E kam rritur pagën time dhe kolegëve te mi. Ua keni besuar këtyre njerëzve 2 milionë euro me i menaxhu; është e pakuptimtë përgjegjësia, politike e para, dhe përgjegjësia financiare, e një kryeministër me pas rrogën (vetëm) 1 300 euro”, u shpreh Haradinaj, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj shtoi sa Qeveria që ai drejton nuk do t’i fshehë veprimet që bën. Sipas tij, një kryeministër me pagë të vogël “ose vjedh, ose është i pasinqertë dhe e mashtron popullin e vet”.
“Nuk është një vendim i përkryer, por sipas bindjes sime është një tregues se duam të punojmë në këtë vend edhe atë në mënyrën më transparente”, shtoi ai.
“Ata që mendojnë që kam gabuar, që e kam bërë shpejt a ku di unë, edhe ata kanë të drejtë”, u shpreh kryeministri.
“Unë po mendoj me punu, po mendoj me i shërbye vendit tim… I ftoj kolegët e mi të Qeverisë që vërtet ta respektojnë përgjegjësinë që na e kanë dhanë populli”.
“Dëshira ime është me ndërtu Kosovën, një Kosovë që vepron. Do vazhdojmë me qenë veprues”, u zotua ai.