Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë për keqmenaxhimin e situatës me pandeminë.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj u shpreh se me miratimin e masave të reja, “Qeveria po iu bie në qafë qytetarëve dhe gastronomëve”.
“Për papërgjegjësitë e veta dhe keqmenaxhimin e situatës me pandeminë, qeveria tani po i bie në qafë qytetarëve dhe gastronomëve duke kufizuar orarin e lëvizjes dhe mbylljen e hershme të gastronomisë”.
“Këto masa tashmë nuk kanë asnjë efekt në parandalimin e përhapjes së virusit, siç edhe është dëshmuar”, ka theksuar Haradinaj.
Kreu i partisë opozitare tha se janë kundër masave të reja, duke shtuar se para miratimit të tyre, duhet bërë një analizë më e mirë.
“Prandaj jemi kundër masave të votuara dhe i bëjmë thirrje qeverisë që të jetë më e përgjegjshme përballë situatave të ndieshme si pandemia, duke analizuar mirë masat, e jo duke ndërmarrë veprime ad hoc e ndëshkuese ndaj qytetarëve pa asnjë efekt në pengimin e përhapjes së virusit”, shkroi ai.