Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj është shprehur se kur sovrani flet, të tjerët heshtin.
Ai përmes një postimi në Facebook, falënderojë qytetarët për besimin, duke thënë se vota e tyre këtë herë ishte më shumë sesa mbështetje për Aleancën.
“Të dashur qytetarë, votues në Kosovë e në Diasporë, Kur Sovrani flet, të tjerët heshtin! Mirënjohës ndaj çdo angazhimi tuajin. Falënderues për besimin e dhënë. Ju që i besuat vizionit që patëm për një Kosovë të sigurt e të zhvilluar, ndryshimeve që bëmë, një rreshtimi të ri drejtues dhe sfidave për atdheun e përbashkët”.
“Për ju që nuk ratë pre e propagandës dhe luftës hibride kundër nesh. Vota juaj këtë herë ishte më shumë sesa mbështetje për Aleancën. Ju na dhatë krahë që të vazhdojmë betejën e nisur për Kosovën që duam, të zhvilluar, sovrane e të pandashme, demokratike nga brenda dhe në partneritet të përjetshëm me aleatët, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar ai.
Haradinaj tha se e kupton lodhjen e qytetarëve nga zgjedhjet e përsëritura, prandaj sipas tij, vota për ta ka vlerë të shumëfishtë.
“E kuptoj lodhjen tuaj nga zgjedhjet e përsëritura, prandaj vota për ne këtë herë ka vlerë të shumëfishtë. Është mirënjohje për çka kemi bërë dhe për ku jemi nisur. Është mirënjohje për listën tonë të shkëlqyer, së cilës kësaj radhe me shumë sukses i priu Ardian Gjini”.
“Dua t’ju garantoj se pas kësaj beteje elektorale jemi më të fokusuar se asnjëherë, jemi më të vendosur se kurrë që t’i përmbushim detyrat që na presin, gjithmonë në interes të Shtetit e të Kombit! Njëkohësisht, dua t’i uroj gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe të gjitha institucionet që ishin të angazhuara në organizimin e këtyre zgjedhjeve. Po dua të besoj se kanë qenë të lira, të ndershme e demokratike”, deklaroi ai.