Votimi i Kuvendit të Kosovës për tre projektligje me anë të të cilave do të bëhet transformimi i FSK-së në ushtri, ka bërë që të reagojë Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Ky i fundit ka thënë se ky vendim mund të ketë pasoja të paimagjinueshme.
Por ky deklarim i Gjuriqit nuk i ka bërë shumë përshtypje deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj, që është i ftuar në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Kush po lodhet për të, punë e madhe se çfarë thotë ai. Edhe në kohën e luftës, nuk e kemi pyetur fort. Kosova është shtet, kur na kanë njoftur 115 shtete nuk na kanë thënë se këto janë kushtet që po ju njohim”.
“115 shtete e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Ne kemi krijuar një mekanizëm mbrojtës që garanton sovranitetin dhe integritetin territorial, punë e madhe se çfarë thotë ai”.
“Me këto sjellje dhe këtë gjuhë, ai [Marko Gjuriq] po i frikëson qytetarët serbë në Kosovë. Do të ishte mirë që t’i bënte apel qytetarëve serbë që të bëhen pjesë e këtij mekanizmi, sikur që janë pjesë e mekanizmit të Policisë, Inteligjencës, Shërbimeve Civile dhe të tjera”.
“Ky është hapi i fundit në kompletimin e infrastrukturës të një shtetësie. Kur kemi ushtri, kjo ka një obligim, garantimin e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe qytetarëve të saj”.
Deputeti i AAK-së ka folur edhe nëse Ushtria e ardhshme e Kosovës do të mund të lëvizë dhe të jetë operacionale edhe në pjesën veriore të Kosovës.
“Kemi bashkëpunim të mirë me NATO-n, KFOR-in. Kemi në Pejë, Prizren, Gjilan, Gjakovë dhe do të kemi edhe në Mitrovicë. Ne nuk e kemi asnjë kusht”.
“Nëse flasim për mekanizmin mbrojtës, kjo nuk nënkupton së do të ndërhyjë ose do të bëjë operacione. Ne do të jemi të gatshëm të mbrojmë me çdo çmim veriun e Kosovës, nëse rrezikohet, por qytetarët në veri të Kosovës duhet të ndjehen të sigurt me krijimin e këtij mekanizmi dhe duhet të jenë pjesë e këtij mekanizmi”.
“Ne nuk jemi duke krijuar Ushtri që do të bëjë ofanzivë ose sulm, më shumë jemi duke plotësuar armaturën e shtetit. Kjo si institucion, edhe me Pakon e Ahtisaarit duhej të krijohej në vitin 2013”.
Ai ka thënë se Ushtria e ardhshme e Kosovës do të mbrojë të gjithë qytetarët njëlloj, pa asnjë dallim.
“Ushtria nuk guxon me pa Kosovën të veriut ose të jugut, të perëndimit ose të lindjes. Kosova duhet parë në 11.000 kilometra katrorë, sikur është shpallur më 17 shkurt.
“Ky duhet të jetë parakushti fillestar, edhe struktura, përgjegjësia janë specifike për detyrat e tyre, mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial – nuk ka asnjë dallim”.
“Ne po e përmbushim hapin final dhe si shtet duhet të punojmë seriozisht që nga viti tjetër që të jemi në rrugën e integrimeve euro-atlantik në NATO, jo vetëm në BE”.
“Kosova në çdo variant është pjesë e NATO-s sepse NATO-n e kemi këtu. Kosova duhet të krijojë kapacitetet e veta se deri sot nuk kemi pasë më çka të jemi pjesë e NATO-s”,
“Në bashkëpunim me NATO-n do të jemi të gatshëm të participojmë në misione të ndryshme”.