Kryeministri, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga deputetët miratimin e marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi.
Ai tha se kjo marrëveshje siguron të drejtën për liri të lëvizjes dhe i jep fund izolimit, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj iu ka drejtuar deputetëve të LDK-së lidhur me raportin e Shpejtim Bulliqit, duke u thënë se atyre duhet t’u vije turp për faktin se nuk po pranojnë një raport të hartuar nga komisioni i shtetit.
“Qeveria e vendit të juaj e taksapaguesve të juaj ka formuar një komision me i pa qeto dilema, nuk është i Ramush Haradinajt, nuk është i Kosovës çka keni çka po ju pengon, ku po ju dhemb o vllazën, kurrgjë në rregull s’keni s’po ju vjen marre. Ky raport pse po ju mungon, nëse keni problem kallxoni, po doni me quajt dokument orientues, jo sa të jem unë”.
Haradinaj, ka kërkuar nga deputetët e LDK-së që të sqarojnë përse nuk dëshirojnë përfshirjen e raportit të Komisonit Bulliqi.
“Sot keni para vetes një ligj që ka tri shtylla. Marrëveshjen e juve, deklarata e presidentëve. Përse nuk po u pëlqen raporti i Komisionit Bulliqi. Vetëm tregoni përse”, ka pyetur Haradinaj deputetët e LDK-së.
“Nuk po e doni këtë raport. Ku po ju dhem. Nëse kthehet guri atje, e keni problem. Po kërkoni me relativizu. Komisioni e ka prodhuar një raport, pse po ju dhem o burra. Asnjë germ nuk i heket këtij ligji. Lejeni pa viza dhe pa liberalizim qytetarët”.
Avdullah Hoti i është kundërpërgjigjur kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai tha se i vjen keq që kryeministri foli ashtu.
“Dihet kush është patriot e kush është tradhtar. Grupi ynë parlamentar nuk e pajton raportin me kauza politike, le ta shohin deputetët dhe të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre. Kryeministri të jetë i kujdesshëm kur i drejtohet deputetëve ashtu, sepse ka njerëz që janë atje e kanë toka në kufi. Me këtë gjuhë më vjen turp si kryeministri u drejtohet përfaqësuesve të vendit”.