Organizimi në Kosovë i Kampionatit Botëror të Notit për Personat me Sindromën Down, është një nga ngjarjet më të mira që ka ndodhur në fushën e sportit. Për herë të parë Kosova po bëhet nikoqir i notarëve nga e gjithë bota. Kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim presidentin e Komitetit Olimpik Botëror të Notit për Persona me Sindromë, Geoff Smedley, Kryetarin e Klubit “Termopan” Lulzim Zhdrella, fituesen e medaljes së artë dhe argjend në garat e notit Medina Surdulli, garues dhe përfaqësues të tjerë nga sporti i notit.
“Sportistët kosovarë çdo ditë e më shumë po dëshmojnë se janë ambasadorët më të mirë të vendit në botë. Me arritjet e tyre në sporte të ndryshme, siç është rasti i Medinës ata sollën në Kosovë medalje të arta, duke na bërë krenarë në arenën ndërkombëtare”, tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj falënderoi presidentin e DSISO, Smedley për hapësirën që po i jep notarëve kosovarë në përfaqësimet ndërkombëtare, për të cilin fakt siç tha Kryeministri, Kosova po fiton.
Kryeministri Haradinaj, theksoi gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të ndihmuar sportistët në Kosovë, duke vlerësuar lartë rolin dhe gatishmërinë e tyre për të përfaqësuar Kosovën në sportet ndërkombëtare.
“Medina dhe notarë të tjerë me sindromën Down na bëjnë krenarë me angazhimin e tyre dhe do ta kenë përkrahjen e parezervë të Qeverisë”, tha Kryeministri Haradinaj.
Ndërkaq, presidenti i Komitetit Olimpik Botëror të Notit për Persona me Sindromë, Geoff Smedley, falënderoi kryeministrin për pritje, duke shprehur gatishmërinë e tij që të mbështesë notarët kosovarë, në garat ndërkombëtare.
Për herë të parë, Kosova u bë nikoqire e garës ndërkombëtare të notit për personat me Sindromën Down.
Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësues të tjerë të DSISO dhe klubeve të Notit nga Kosova.
Në fund të takimit, Kryeministri Haradinaj i dhuroi presidentit të Komitetit Olimpik Botëror të Notit për Persona me Sindromë, Geoff Smedley dhe Medina Surdullit medaljen e Skënderbeut.