Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar Rahovecin ku bashkë me kryetarin e kësaj komune, Smajl Latifi kanë vizituar disa vende të kësaj komune.
Haradinaj bashkë me Latifin vizitën e nisën në Zonën Ekonomike mbi Opterushë, duke vazhduar më pas në palestrën e sportit në Rahovec, vizitë vreshtave të dëmtuara nga breshëri në Patiqan të Ulët, vizitë te fermeri Ismajl Morina në fshatin Gezhë, të cilit i janë dëmtuar perimet nga breshri, dhe në fund vizita u përmbyll në përroin problematik në mes fshatrave Krushë e Madhe dhe Celinë.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, tha se është këtu për t’i mbështetur projektet e komunës dhe problemet që Rahoveci ka, sidomos në anën e prodhimtarisë së rrushit ku nga breshri janë dëmtuar hektarë të shumtë të vreshtave, raporton Ekonomia Online.
“Sot është një ditë pune, ka disa lajme të mira dhe disa janë shumë të dhimbshme. Lajmi i mirë, më në fund Rahoveci ka toka të mundshme në dispozicion për biznese të Rahovecit, si zona ekonomike dhe mendoj që është një lajm i mirë për biznese për zhvillimin ekonomik. Për biznese lajm i mirë është edhe fakti që më në fund po përmbyllet projekti i qendrës sportive dhe ajo është shpija e Rahovecit e të gjithëve, e prindërve, e fëmijëve, e sportistëve dhe i përgëzoj të gjithë që kanë kontribuar që ky projekt më në fund të përmbyllet”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se lajmi i dhimbshëm ka të bëjë me dëmet e shkaktuara nga breshri dhe vërshimet, raporton EO.
“Është lajm i dhimbshëm dëmet që i ka shkaktuar breshri dhe vërshimet. Ne ishim dëshmitarë që janë qindra hektarë të vreshtave të dëmtuara, pastaj shumë hektarë të perimeve, specave, shalqini është një gjendje shumë e vështirë dhe e dhimbshme dhe trishtuese me pa. Jemi para disa sfidave si me e trajtu këtë gjendje, unë nuk e di ende se çfarë përgjigje do të japim direkt, por ajo çfarë më shkon në mendje menjëherë gjatë që të paktën mos me u vonu subvencionet e bujqve, atyre që i ka dëmtuar breshri dhe ato subvencione janë dakordu por ende nuk i kanë marrë, kështu që ato ia mundësojnë që të paktën me mbijetu disi në periudha kohore në mundësinë e ripërtëritjes së kulturave që kishte mund me ia lehtësu sadopak gjendjen”, tha Haradinaj.
Kryeministri i vendit tha se nëse situata të tilla përsëriten vit pas viti, është vështirë të përballen financiarisht.
“Ne e kemi marrë një raport për dëmet dhe raporti është i madh me miliona dhe do ta shoh se si do ta hetojmë si Kosovë dhe kam pyetur edhe përpara në krijimin e rrethanave me kontribu që edhe ne qeveria me pagu kosto të sigurimit, pastaj është edhe mbrojtja nga breshëri, sistemi raketor është opsion dhe mundemi me rikthy dhe kemi mundësi tjera të mbrojtjes që t’i trajtojmë se është vështirë dhe nëse prej viti në vit situata të ngjashme na përsëriten është vështirë me iu dalë ballë me ndihmesa financiare”, shtoi ai.
“Lumi shihet që bën sherre të mëdha dhe duhet me pa se si me e trajtu, kemi raste kur i kemi trajtuar dje ne jemi të informuar për këtë përrua me komunën e Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor sepse është në interes dhe shihet që ka bërë dëme në amvisëri dhe është e papërballueshme me lënë kështu siç është”, tha Haradinaj.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se ndihet mirë me prezencën e Haradinajt në këtë komunë për të njohur me zonën ekonomike dhe problemet e shumta që janë shkaktuar nga kushtet e këqija atmosferike.
“Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme që patëm kryeministrin Haradinaj në vizitë, filluam me zonën ekonomike e pamë atje dhe e falënderojmë për përkrahje të jashtëzakonshme që ka dhënë qeveria për krijimin e zonës ekonomike për herë të parë në Rahovec pas 17 vitesh kërkesa të vazhdueshme, vazhduam me palestrën e sportit ku sivjet po merr fund dhe e falënderojmë po ashtu qeverinë që po kujdeset për financimin dhe me i dhënë zgjidhje këtij projekti që ka zgjatë pa kuptim mbi 10 vite, vazhduam me vizita per dëmet që i ka shkaktuar breshëri bujqësisë, amvisërisë dhe infrastrukturës ku janë dëmtuar vreshtat, janë dëmtuar pemëtaria dhe i kemi përgatitur disa raporte që ia dorëzuam zyrtarisht kryeministrit”, tha Latifi.
“Përroin jo rastësisht e kemi cilësuar si problematik që ndan Celinën me Krushë të Madhe dhe kjo don trajtim të veçantë dhe ne kërkojmë mbështetje nga qeveria e Kosovës për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare afatgjate përmes një projekti që e don trajtimin e shtratit edhe zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi që vazhdimisht që kësaj radhe ka qenë kërcënim për jetën e banorëve dhe bujqësinë e shumë banorëve të Krushës së Madhe”, shtoi Latifi.