Haradinaj: Me anëtarësimin në INTERPOL humb vetëm krimi

Prishtinë | 26 Sht 2018 | 09:12 | Nga

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është takuar me ndihmës -Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, të cilit i ka thënë se me anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL pëson humbje vetëm krimi.

“Mikut të Kosovës i shpreha falënderimet e popullit tonë për angazhimin e pandalshëm të Amerikës, dhe kërkova që ky rrugëtim i yni i përbashkët të vazhdojë, për ta përmbyllur konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“Ndihmës – Sekretarit Mitchell i thashë se me anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL dhe mekanizmat tjerë të sigurisë, nuk humbë askush, përpos krimit transnacional. Mbështetja e SHBA-së në këtë rrugëtim është e domosdoshme”, ka shkruar ai.

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar Mitchell për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, për progresin e Kosovës në përmbushjen e reformave të gjithanshme në rrugën eurointegruese dhe euroatlantike dhe për hapat që kanë ndërmarrë institucionet e vendit për të krijuar një klimë të favorshme për të investuar në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj ka falënderuar Mitchell për kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës dhe në shumë fusha tjera me rëndësi, me theks zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit.

“Miqësia dhe partneriteti strategjik me ShBA-të janë të pazëvendësueshme. Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike dhe për këtë roli i ShBA-ve, është i rëndësisë së veçantë”, ka thënë Haradinaj, duke kërkuar mbështetjen amerikane në procesin e transformimit të FSK-së në Ushtri.

Në takim, është biseduar edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin Haradinaj tha se Kosova është për dialog dhe për përmbylljen e këtij procesi përmes arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht obliguese për të dyja vendet dhe me njohje reciproke.

Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell, tha se Kosova do ta ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe më tutje, në forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, në arsim dhe në rrugën e saj euroatlantike.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministër i Jashtëm Behgjet Pacolli dhe Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku.

Image may contain: 7 people, people sitting and indoorImage may contain: one or more people, people sitting and indoor

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme