Kryeministri Ramush Haradinaj bashkë me ministrat e kabinetit qeveritar ka lëshuar seancën e Kuvendit.
Haradinaj pasi sqaroi para deputetëve se nuk do të flasë për marrëveshjet kinse të fshehura për formimin e qeverisë, duke iu thënë atyre që planin qeveritar e kanë marrë me kohë, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj u largua pasi që sipas tij, kthehen vetëm kur të debatohet për programin qeverisës. Ai ka lëshuar sallën e Kuvendit, duke thënë se “ po vazhdon me punë”.
Këto kryeministri i bëri në vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme, lidhur me parimet programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021.
Ndërkaq të martën, më 3 tetor, Kuvendi do të mblidhet në seancë të re, në të cilën, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të shqyrtohet propozim-vendimi për formimin e komisioneve parlamentare.
Më pas, pritet të mbahet interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së GP të LDK-së, për ta informuar Kuvendin mbi akuzat publike të shfaqura ndaj ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo.
Pas përfundimit të kësaj seance, në po të njëjtën ditë, pritet të mbahet një seancë e re, për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2016 midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian, në vlerë prej 70.5 milionë euro.