Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar ndërtimin e murit në veriun e Mitrovicës, duke thënë se një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë.
Ai ka kërkuar që të ndërmerren masat ligjore për të ndaluar një ndërtim të tillë.
“Mas pari muri është gabim që po ndodh në Mitrovicë, por gabimi po vjen prej Prishtinës. Bashkësia ndërkombëtare ka bërë kujdes për vendosjen e pengesave në atë pjesë. Lakmia e pushtetarëve me shku ne Veri për me marrë pak poenë në publik po krijon veprime të tjera”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa, sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, Haradinaj ka përsëritur se kjo çështje duhet të rishqyrtohet edhe njëherë, duke refuzuar kështu ofertën e kryeministrit Mustafa për matjen e territorit, raporton Ekonomia Online.
“Kryeministri Mustafa sipas bindjes time është duke u munduar të bëjë një dalje prej gjendjes në të cilët gjendet me demarkacionin i cili është gabim. Dalja nuk është zgjidhje sepse po shkojmë prej gabimit në gabim. Ne kemi kërkuar rishikim të matjeve dhe besoj që kjo do të ndodhë”, ka thënë Haradinaj
I pyetur për një koalicion të mundshëm parazgjedhor me AKR-në e Behxhet Pacollit, Haradinaj tha se kanë zhvilluar takime, por që ende nuk ka asgjë zyrtare.
Këto komente i pari i AAK-së i bëri gjatë prezantimit të 50 anëtarëve të rinj nga Klina, që iu bashkuan sot këtij subjekti politik.