Haradinaj: NATO ndaloi çmendurinë e Millosheviqit, 20 vjetori i çlirimit do të jetë i veçantë

Prishtinë | 10 Qer 2019 | 18:14 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka kujtuar gjendjen në Kosovë dy dekada m par, kur edhe ndodhi ndërhyrja e NATO-s e më pas u arrit Marrëveshja e Kumanovës, duke thënë se ishte një ndjenj e jashtëzakonshme kur shqiptarët po ktheheshin në vendet e tyre.

Në një interviste në Info Magazine të Klan Kosovës, Haradinaj e cilësoi fushatën ajrore të NATO-s si një veprim që shpëtoi popullatën civile në Kosovë nga krimet makabre të regjimit serb.

“Fushata ajrore e NATO-s ishte veprim humanitar në ndërprerje të tragjedisë të një populli të pambrojtur, popullit shqiptar, nga një regjimi çmendur i Millosheviqit që ishte i gatshëm për një gjenocid të tmerrshëm”.

“Fushata e NATO-s e ka shpëtuar edhe Serbinë duke e ndaluar për të mos bërë edhe më shumë krime. Sikur mos të ndërhynte NATO, regjimi i Millosheviqit, forcat paramilitare, forcat serbe do të kishin bërë edhe më shumë krime, të cilat do t’i faturoheshin popullit serb”.

Haradinaj tha se për ndërhyrjen e NATO-s asokohe ishin të njoftuar paraprakisht dhe kishin bashkërenduar veprimet me zyrtarë dhe oficerë të saj.

Mirëpo, atëkohë problematike ishte hyrja e forcave ruse në Kosovë.

“Rusët u futën në Kosovë ngase ata e shfrytëzuan një vakum kohor. Ata hynë gjoja si forca paqësore, dhe erdhën pa u tërheq forcat serbe”.

“Por, nuk ishin mirë të pritur nga popullsia, nga ne, nga UCK-ja”.

“Zona Operative e Dukagjinit ka pasur urdhër të mos i lejojnë me hy në zonë të Dukagjinit. Hyrjen e forcave ruse i kemi përjetuar si me u kthy forcat serbe, andaj i kemi bllokuar i kemi qitë postblloqet në Dollc. Kam pasur edhe konflikte verbale edhe me zyrtarë të NATO-s – ju kemi thënë ju mundeni me hy por këta jo”.

Periudha e menjëhershme pas çlirimit për popullsinë e rikthyer, sipas Haradinajt, nuk ishte e lehtë. Megjithatë ai theksoi se përjashtuar pjesës veriore nuk u shënuan incidente.

Haradinaj gjithashtu bëri të ditur se 20 vjetori i çlirimit të Kosovës do të shënohet në mënyrë të veçante.

“Është nder i madh që vjen ish-presidenti Bill Clinton, ish-sekretarja e shtetit amerikan Medelin Albright, gjenerali Wesley Clark e plit personalitete ndërkombëtare. Është nder i madh”.

“Një falënderim i veçantë i shkon ish-presidentes Atifete Jahjaga për një punë të madhe që ka bërë për këtë 20 vjetor. Me vizionin e saj jemi bashkuar të gjitha institucionet edhe presidenca edhe qeveria edhe kuvendi dhe kësisoj kemi mbërri në një situate ndryshe të festimit jubilar”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme