Haradinaj nderon heronjtë Safet Boletini dhe Ejup Kasumi: I përjetshëm kujtimi për ta

Prishtinë | 31 Maj 2024 | 13:36 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët e 31 majit të vitit 1999.

Haradinaj ka thënë se muaji Maj shënon heroizmin dhe sakrificën e jashtëzakonshme të luftëtarëve të lirisë.

“31 Maji shënon heroizmin dhe sakrificën e jashtëzakonshme të luftëtarëve të lirisë, Safetit nga familja e Heroit Isa Boletini, dhe Ejup Kasumi nga Strofci i Vushtrrisë.

Sot, me kryetarin e Aleancës në Mitrovicë, Qazim Nimani, bashkëpunëtorë e bashkëluftëtarë, nderuam sakrificën e tyre sublime për liri. Po ashtu, ndaluam për të shprehur ngushëllime në familjen Salihu, pas humbjen e djalit të tyre, Qlirimit”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka kujtuar edhe sakrificën e familjes së Selatin Gërxhaliut.

“Gjithashtu, sot kujtojmë sakrificën e familjes së Selatin Gërxhaliut, që 25 vjet më parë u ekzekutuan pa mëshirë vetëm pse ishin shqiptarë në tokën e tyre. Në përpjekje për të mbrojtur familjen, ra heroikisht edhe i zoti i shtëpisë Selatini, luftëtar i dalluar i Brigadës 142 “Mehë Uka”. Kujtimi për ta do të jetë i përjetshëm, duke frymëzuar brezat e ardhshëm me dashurinë për atdheun dhe përkushtimin ndaj kauzës kombëtare.

Paqe e lavdi për të rënët. U jetësoftë ëndrra e tyre!”, është shprehur Haradinaj.

Të ngjashme