Haradinaj në 35-vjetorin e grevës së Minatorëve: 5 vjet nga votimi i statutit të Trepçës, minatorët vazhdojnë të mashtrohen nga pushteti

Prishtinë | 20 Shk 2024 | 13:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosivës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se menaxhimi i dobët i Trepçës dhe mungesa e investimeve serioze, këtë ndërmarrje po e dërgon drejt kolapsit.

Haradinaj ka kujtuar grevën e minatorëve në 35-vjetorin e saj.

“Grevat e Minatorëve ishin akte të guximshme dhe momente kthese në rrugën tonë drejt lirisë. Sot, në shënim të 35-vjetorit të Grevës së Minatorëve, me nderim kujtuam veprën e më shumë se 1300 minatorëve të asaj kohe. Kjo grevë u shndërrua në një rezistencë gjithëpopullore, duke lëkundur themelet e shtetit të atëhershëm të Jugosllavisë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se votimi i Statutit të Trepçës në vitin 2019, ishte hap kyç që i dha fuqinë këtij aseti të fuqishëm.

“Rikthimi i Trepçës në burim jete ishte mënyra më e mirë për të shpërblyer sakrificën e atëhershme të punëtorëve të devotshëm. Gjatë mandatit tim si kryeministër i vendit, në mars të vitit 2019, me votimin e Statutit të “Trepçës” e regjistruam si kompani në bazë të ligjeve të Kosovës. Ky ishte një hap kyç për t’i dhënë këtij aseti fuqinë e nevojshme për investime dhe gjenerim stabil të të hyrave, për punësim dhe për ta rikthyer atë në funksion të plotë të ekonomisë së vendit dhe shtetit të Kosovës, si dhe për të mbështetur vetë minatorët, duke i bërë hisedarë me 20% të aksioneve”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka shtuar se menaxhimi i dobët dhe mungesa e investimeve serioze, këtë ndërmarrje po e dërgon drejt kolapsit.

“Fatkeqësisht, kur jemi 5 vjet nga votimi i Statutit të Trepcës, menaxhimi i dobët dhe mungesa e investimeve serioze, këtë ndërmarrje po e dërgon drejt kolapsit. Nëse nuk intervenohet shpejt, gjendja do bëhet edhe më serioze”.

“Është turpëruese retorika mashtruese e pushtetarëve e cila nuk e mbulon mungesën e financave, situatën me borxhe e prodhim material. Ndërkaq, punëtorët përballen me kushte të rënda pune, të ardhura tejet minimale e pa sigurim shëndetësor. Trepça ka potencial ta rikthejë shkëlqimin e dikurshëm dhe të jetë krah i fortë i ekonomisë sonë!”, ka përfunduar Haradinaj.

Të ngjashme