Haradinaj në “Bondsteel”: ShBA, NATO dhe KFOR-i, sinonime të paqes e sigurisë në Kosovë

Prishtinë | 17 Nën 2018 | 13:25 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së komandantit të KFOR-it amerikan, Kolonel Nick Ducich te kolonel Roy J. Macaraeg, e cila u mbajt në kampin ushtarak amerikan “Bondsteel”, në Sojevë të Ferizajt.

Kryeministri Haradinaj ka vlerësuar punën e deritashme të Kolonelit Ducich dhe të ushtarëve amerikanë në ofrimin e sigurisë dhe të stabilitetit për Kosovën dhe qytetarët e saj, duke e falënderuar atë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e pakursyer që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Kosovës, veçmas për kontributin e tyre në forcimin dhe ngritjen e kapaciteteve të pjesëtarëve të FSK-së.

Më tej, Kryeministri Haradinaj duke vlerësuar lart kontributin e ushtarëve amerikanë dhe të Kampit ‘Bondsteel’, tha se ky kamp është garantues i sigurisë dhe paqes për Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj, dhe për rolin dhe shërbimin e tij në Kosovë e ka nderuar kolonelin Ducich me “Hartën e Artë të Kosovës”.

Ndërkaq, komandanti i kampit “Bondsteel”, kolonel Nick Ducich, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje, tha se ka qenë i nderuar që ka shërbyer në mision në Kosovë, duke dhënë më të mirën. “Ka qenë nder për mua të shërbej për njerëzit e Kosovës”, tha në fjalën e tij koloneli Ducich.

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Salvatore Cuoci, në fjalën e tij vlerësoi se të gjitha sfidat dhe angazhimet që kanë pasur i kanë kryer me përkushtim falë bashkëpunimit të ngushtë edhe me institucionet e Kosovës. “Nick për këta muaj të shërbimit në Kosovë përveç që është angazhuar me përkushtim në detyrën e tij ka treguar edhe praktikë bashkëpunuese me të gjitha palët. Gjatë kësaj kohe kemi arrit të realizojmë ndër të tjera edhe 2 mijë patrullime”, tha Cuoci.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin edhe e ngarkuara me Punë në Misionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Colleen Hyland, dhe përfaqësues të tjerë institucional.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme