Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot gjatë një tubimi zgjedhor në Dardanë, ka paralajmëruar rritjen e pagave në sektorin publik, krahas rritjes së buxhetit të shtetit.
“Do ta rrisim buxhetin dhe do t’i rrisim pagat për shërbyesve civilë”, tha Haradinaj, gjatë tubimit zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Me këtë rast u prezantua programi i kandidatit për kryetar të Dardanës, Faton Jakupi, si dhe 29 kandidatët e AAK-së për Kuvendin Komunal.
Haradinaj ka thënë se Aleanca dhe Dardana kanë një lidhje të hershme, ndërsa ka lavdëruar Jakupin si një djalë për t’u marrë shembull dhe me vlera.
Ai siguroi se projektet e Jakupit do ta kenë mbështetjen e Qeverisë qendrore, madje shtoi se do të ketë më shumë projekte sesa i paraqiti kandidati i tyre.
Me këtë rast, shefi i Qeverisë foli edhe për vendimin e marrë disa ditë më parë për heqjen e akcizës për prodhuesit e ujit.
“Në rrezik kanë qenë 60 fabrika të ujit me u mshel. Ky është mall i Kosovës, prodhohet në Kosovë dhe shitet në Kosovë, e sot bilanci i pareve është shumë keq. Kemi vepru sipas ligjit”.
Haradinaj, po ashtu, ka siguruar se veteranët e luftës së UÇK-së do t’i marrin pagesat. “Nuk do të ketë probleme bazuar në parashikimet e buxhetit për vitin e ardhshëm”, shtoi ai.
E pretendenti për ta qeverisur Dardanën, Faton Jakupi, shpalosi disa nga pikat kryesore të programit të tij katërvjeçar.
“Do t’i mbështes me grante bujqit dhe blegtorët. Drejtimi i qeverisjes lokale do të jetë për qytetarët dhe nga qytetarët. Do të ndërtojmë infrastrukturë rrugore”.
“Sa i përket kulturës, ajo do të udhëhiqet nga aktorët që jetojnë në Dardanë. Sporti do të kthehet në nivelin e merituar. Këtë program nuk mund ta bëjmë realitet me përkrahjen e qytetarëve dhe ndihmën e kryeministrit Haradinaj”, theksoi Jakupi.