Kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj, nuk i ka pëlqyer kritika e një ish-minatori gjatë një debati me qytetarë në Mitrovicë, i cili tha se në vend të autostradës së Dukagjinit është dashur të investohet në rimëkëmbjen e Trepçës, raporton Ekonomia Online.
I moshuari nga ky qytet, pasi e ka quajtur Haradinajn “legjendë e gjallë” për shkak të së kaluarës së tij si luftëtar, ia ka numëruar disa lëshime si kryeministër. Ai tha se se Qeveria është dashur të ndajë të paktën gjysmë miliard euro për Trepçën, “nga 1 miliard euro që janë ndarë për autostradën e Dukagjinit”.
“Dukagjini e Peja e kanë pas një asfalt, e Trepça sot me ardhur në këtë gjendje, është një turp i madh”.
“Po më doket se në do sende nuk është mirë tuj shkue as Qeveria jote as ajo e mëparshmja”, ka thënë ai.
Haradinaj ka reaguar duke i thënë atij se “është marre për të që të flasë ashtu”.
“A e din çka ka ba Dukagjini për Mitrovicën… për mos me u nda. Atje ende rrinë në front”, u shpreh Haradinaj.
“Për herë të parë në histori të Trepçës, punëtorë janë bashkëpronarë të saj”, theksoi shefi në largim i Qeverisë.