Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka vizituar sot degën e Aleancës në Malishevë, në 20-vjetorin e themelimit të saj, ku është pritur nga strukturat atje, si dhe nga kryetari i degës, Fatmir Shurdhaj.
Haradinaj ka thënë se sot në Malishevë gjindet për të shënuar ditëlindjen e degës së AAK-së, ku e ka përgëzuar kryetarin Shurdhaj për reformat dhe ndryshimet e bëra, që sipas tij, kanë dhënë rezultate pozitive.
“Sot jemi këtu krejtësisht në një natyrë tjetër, pra e kemi ditëlindjen si Aleancë në Malishevë. Kemi ardhë me shpreh falënderim të themeluesit e te bashkëudhëtarët tonë, por po ashtu edhe një falënderim të posaçëm kryetarit Fatmiri në këtë rast, i cili me të vërtetë e ka ndryshua gjendjen në degën tonë. Shihet një nivel i njerëzve vërtetë të ngritur, me vlera me dije, njerëz që e dojnë Malishevën”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka folur edhe për gjendjen ekonomike pas pandemisë, e cila në masë të madhe e ka goditur komunën e Malishevës. Ai ka thënë se është koha të mendohet për rimëkëmbje ekonomike.
“Unë mendoj që sfida jonë, e të gjithë neve, tashmë në Kosovë dhe këtu në Malishevë, është rimëkëmbja ekonomike, nuk guxojmë me humbë shumë kohë e shumë ditë”, ka thënë Shurdhaj.
Haradinaj ka marrë shembuj shtetet fqinje, të cilat përkundër se janë goditur më rëndë se Kosova nga pandemia, kanë hapur ekonomitë e tyre ose nuk i kanë mbyllur fare ato.
“Për shembull, Serbia e ka hapur ekonominë e saj qe dy javë, Maqedonia e Veriut nuk e ka ndal fare edhe pse ka shpallë gjendje të jashtëzakonshme, plot sektorë ekonomikë kanë vazhdua, e ne kemi humbë bukur shumë kohë. I kemi paralizu pra plot sektorë të ekonomisë, e kjo është bukur e vështirë për Kosovën dhe është me rëndësi pra që të gjithë t’i kushtohemi rikthimit të ekonomisë”, ka thënë ai.
Në fund, kryetari Haradinaj ka thënë se duhet bërë një incizim i dëmeve ekonomike të shkaktuara në Malishevë nga qeveria e më pas të shqyrtohen mundësitë e kompensimit të tyre.
“Duhet me u bë një incizim i gjendjes, i humbjeve ekonomike të sipërmarrësve në Malishevë, dhe pastaj t’i shohim mundësitë e qeverisë për me iu përgjigjë këtyre humbjeve”, ka theksuar Haradinaj.
Kryetari i AAK-së, në fund ka thënë se përderisa gjendja ekonomike nuk kthehet në gjendjen që ka qenë para pandemisë, situata duhet të konsiderohet emergjente.