Haradinaj thotë se mjekët janë heronj, nuk flet për vdekjet e dyshimta

Prishtinë | 21 Sht 2017 | 09:55 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, sot në mëngjes, ka mbajtur një takim pune me menaxhmentin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe me drejtorët e Klinikave.

Haradinaj është zotuar se gjatë qeverisjes së tij shëndetësia do të jetë prioritet, ndërsa punëtorët shëndetësorë i vlerësoi si heronj të Kosovës.

“Mjekët, personeli shëndetësor, vërtetë bëjnë punë të mundimshme edhe janë heronj të Kosovës. Ajo pse jemi këtu është se ka defekte të caktuara. Ka plot detyra që na dalin të përbashkëta, duke filluar nga ne, nga politika, nga Qeveria, nga vendimmarrësit. Sot jemi dakorduar që të ballafaqohemi me këto defekte së bashku”.

Ai  nuk ka folur për vdekjet e dyshimta që ndodhën në këtë klinik ditë më parë, raporton Ekonomia Online.

Gjatë takimit, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj, dhe drejtorët e Klinikave e njoftuan kryeministrin me punën që po bëjnë punëtorët shëndetësorë për t’ju shërbyer qytetarëve të vendit, por edhe me problemet me të cilat përballet sektori shëndetësor në përgjithësi, dhe QKUK-ja në veçanti.

“Kemi sfida, kemi probleme, por fakti që ju kryeministër brenda 10 ditëve bashkë me ministrin e Shëndetësisë e vizitoni këtë institucion, për ne punëtorët shëndetësorë është satisfaksion se shëndetësia do të jetë prioritet”, tha drejtori Gjocaj.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, falënderoi kryeministrin për përkushtimin e tij për të ndihmuar sektorin shëndetësor dhe gjithë personelin shëndetësor për punën dhe vullnetin e tyre në shërbim të qytetarëve.

“Ishte një takim për të folur për problemet e shumta në mjekësi, në shëndetësi, të cilat janë mbledhur me vite, por që tani ne kemi një vullnet për t’i bërë zgjidhje atyre. Natyrisht që kjo nënkupton që ne do të marrim përgjegjësitë tona, por edhe gjithë sektori i shëndetësisë të merr përgjegjësitë e veta, të rrisë llogaridhënien, transparencën, menaxhimin më të mirë, që të kemi shërbime më të mira”, tha ministri Ismaili.

Në takim me kryeministrin kanë qenë gjithë drejtorët e klinikave të Qendrës Klinike Universitare.

Në QKUK kanë vdekur tre persona në rrethana të dyshimta. Më pas QKUK kishte pezulluar përkohësisht rastet e operacioneve të planifikuara jo urgjente me bllokun e klinikave kirurgjike.

Kjo është hera e dytë që Haradinaj viziton Qendrën Klinike Universitare qëkur e mori detyrën e kryeministrit.

 

Të ngjashme