Haradinaj nga Vlora: Kufijtë nuk lëvizin me fjalë

Vlorë | 08 Gus 2018 | 12:37 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ramush Haradinaj konsideron se prekja e kufijve, një temë shumë e diskutuar në Kosovë, është e papranueshme për të.

Gjatë vizitës në Vlorë, ai tha se kufijtë nuk lëvizin me fjalë, duke lënë të kuptohet që ndryshimi i tyre mund të prodhojë luftë, raporton Ekonomia Online.

“Për fat të keq të popujve të Ballkanit, luftërat kanë qenë tragjike në të kaluarën dhe realiteti i sotëm është si rezultat i atyre luftëtarëve, ne duhet të konsolidojmë të arriturat tona, Shqipëria, Kosova e kudo që jemi shqiptarë, por hapja e temës së kufijve është e papranueshme për mua”, tha ai.

“Kufijtë nuk lëvizin me fjalë”, tha Haradinaj.

Haradinaj iu shmang pyetjeve të tjera të gazetarëve, duke potencuar se shpreson që më 1 janar të hiqet dogana mes shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ajo që jam pro është që më 1 janar të heqim doganën mes Kosovës dhe Shqipërisë”, shtoi ai, raporton Ekonomia Online.

Dritan Leli nuk pranoi ta komentojë për çështjen e shkëmbimit të territoreve dhe ndryshimit të kufijëve.

“Si kryetar i Bashkisë së Vlorës nuk do doja që në një ditë kaq të madhe siç është dita e vizitës së kryeministrit të Kosovës, Haradinaj, për Vlorën të merresha me komente të tjera. Ato janë komente që do t’i takojnë njerëzve që kanë detyrimin për të marrë vendime të duhura dhe për të marrë këshillimin e nevojshëm”, tha Leli.

“Unë do të thoja që sot për mua është njëra ndër ditët më të veçanta që pres në Bashkinë e Vlorës, në qytetin tim një qytetar nderi të këtij qyteti, një nder për gjithë shqiptarët, Haradinajn”, shtoi Leli.

Të ngjashme